Pagesa e energjisë në postë, Lazimi: Duhet marrëveshje me OSHEE për kamatvonesat

Mungesa e një marrëveshje të re mes Postës Shqiptare dhe OSHEE ka sjellë penalizmin e qindra qytetarëve, të cilët duke menduar se bëhet edhe pagesa e kamatvonesave, sot janë debitor ndaj OSHEE. Kjo e ka detyruar Drejtorin, Majlind Lazimi, të sqarojë se në zyrat postare bëhet vetëm pagesa mujore dhe për të bërë pagesën e kamatvonesës duhet një marrëveshje e re. Për raste kur jane evidentuar shkelje nga punonjësit e postës, Drejtori tha se do të inspektohen ankesat dhe qytetarët do të kompensohen.Tiranë- Për shkak të një vakumi ligjor e teknik mes dy insitucioneve Postës Shqiptare dhe OSHEE penalizohen qindra qytetarë, të cilët i drejtohen sporteleve të postës për të paguar faturat e energjisë elektike pa e ditur se në të nuk mund të bëhet pagesa e kamatvonesave dhe këta qytetarë mbeten debitorë.Situata është edhe më problematike në kohën kur shteti ka ndërrmarrë aksionin e ndërprejes së energjisë elektrike për të gjithë debitorët.Drejtori i Postës Shqiptare,Majlind Lazimi, tha se do të kërkohet një marrëveshje e re brenda janarit për të zgjidhur këtë situate, pasi është e padrejtë që në mungesa të tilla ligjore pasojat janë terësisht të qytetarëve.“Në lidhje me kamat-vonesat, ka shumë raste kur qytetarët kanë kryer pagesën mujore tek ne dhe për arsye të kamat-vonesave OSHEE i klasifikon sërish si debitorë edhe pse Posta e ka kryer detyrën e saj. Në bazë të marrëveshjes që kemi me OSHEE kjo e fundit nuk na lejon që të arkëtojmë kamat-vonesat dhe për këtë arsye qytetarët nuk mund të paguajnë pranë zyrës postare kamat-vonesat, por vetëm detyrimet mujore.Pavarësisht kësaj problematike, unë dua të qetësoj qytetarët që janë të rregullt me pagesat e energjisë elektrike dhe vazhdojnë t’i kryejnë ato pranë Postës, se pagesat e tyre kalohen në mënyre korrekte nga Posta për tek OSHEE dhe se për çdo rast ankese ne bëjmë rakordimet e nevojshme me OSHEE.Sidoqoftë, ne kemi ngritur një grup pune bashkë me përfaqësuesit e OSHEE për rakordimin e këtyre rasteve dhe për këtë i kemi dorëzuar OSHEE të gjithë dokumentacionin që disponojmë me pagesat e qytetarëve dhe besojmë se do ta zgjidhim këtë çështje brenda një kohe të shkurtër. Nga ana jonë jemi duke dhënë sygjerimet e nevojshme se si mund ta rregullojmë këtë ngërç të krijuar, duke ditur fare mirë edhe ndjeshmërinë që ka publiku ndaj kësaj çështjeje”.Ka disa raste të raportuara në media ku janë evidentuar shkelje nga punonjësit e postës. Drejtori tha se i përkasin periudhës 2006-2013, por është i angazhuar për të marrë të gjitha masat.“Janë marrë të gjitha masat ligjore për të gjitha rastet abuzive në shkallë vendi nga punonjës të Postës Shqiptare, përfshirë këtu edhe rastin e Vlorës, i cili u shoqërua edhe me lirimin nga detyra të Drejtueses së këtij Filiali ditën e premte. Gjithashtu, një sërë punonjësish janë çuar për ndjekje penale gjatë kohës që kam marrë detyrën në drejtim të Postës Shqiptare, si edhe janë ngritur padi civile ndaj atyre që kanë shkaktuar dëme ndaj qytetarëve.Prandaj, dua të siguroj publikun se nuk do të tolerojmë asnjë rast që abuzon me besimin dhe paratë e tyre. Duke filluar nga arkëtari dhe sportelisti i thjeshtë, postieri, apo deri në nivelet më të larta drejtuese të Postës Shqiptare”.Që nga postierët në terren, tek punonjësit e sporteleve e deri tek drejtuesit e postës paralajmërohen se nëse bëjnë shkelje do të çohen para organeve të drejtësisë.Ndërsa për rastin e Shtermanit në Elbasan,ku merreshin paratë e qytetarëve por nuk depozioheshin në zyrat e OSHEE, Drejtori tha se do të kompensohen qytetarët.