Rreziku terrorist, Rama: Mbyllja e dyerve të Europës do ishte vetëvrasje

“Nëqoftë se zgjedhim të luftojmë, atëherë do të bëjmë atë që terroristët duan që ne të bëjmë”.Nga Parisi, ku mori pjesë në marshimin e solidaritetit, krah homologëve nga e gjithë bota, kryeministri shqiptar Edi Rama edhe një herë përcolli mesazhin se pas kësaj ngjarje që tmerroi Parisin por jo vetëm, askush nuk duhet të tërhiqet nga projekti i Europës së Madhe, përkundrazi tanimë është momenti për një Europë më të fortë e më të bashkuar."Duhet një Europë më e fortë, duhet më shumë Europë, jo më pak Europë. Aludimi për t'u tërhequr nga projekti i madh europian dhe mbyllja e kufirit tek shtëpia e secilit, është të vetëvritesh, është fundi, jo i Europës, por është fundi i jetës së përbashkët në botën demokratike që ne njohim".Në një intervistë për televizionin francez “France 24”, kreu i qeverisë shqiptare, theksoi se sulmi ndaj Francës është sulm dhe tradhëti ndaj vetë Europës, që edhe një herë këtë të diel tregoi se është e bashkuar më shumë se kurre."Është e pabesueshme që pikërisht në Francë mund të kemi këtë burim kaq pjellor të ndarjes dhe urrejtjes, që mund të vrasë edhe njerëz. Në Francë, në vendin që është zgjedhur për një arsye shumë të qartë, sepse të sulmosh Francën, s'do të thotë të sulmosh një vend dosido, do të thotë të sulmosh vlerat që Franca mëshiron për ne. Në Francë mund të shkojmë kah urrejtjes dhe luftës, mbylljes dhe gjithë çfarë këto sjellin. Kjo do të thotë të tradhtosh shumëçka Europa është sot".Edhe kryeministrit shqiptar nuk mund ti mungonte në këtë ditë simbolika e marshimit dhe jo një por 3 lapsa në xhepin e xhaketës së tij, me ngjyrat e flamurit francez, blu, të bardhë dhe të kuq."Kam lapsa gjithnjë mbi tavolinën time në zyrën kryeministrore se më pëlqen të jem kah arti, jo ekonomistësh dhe jo aq politikanësh. Dhe i mora këto lapsa për të treguar solidaritet, sepse ne e ndjemë këtë sulm si sulm ndaj nesh si shqiptarë. Është vuajtja e një Europe që rrezikon të humbet, rrezikon të vdesë, është vuajtja e shpresës, ndaj duhet më shumë shpresë dhe jo më pak shpresë."Më herët gjatë ditës, kryeministri Rama u prit në pallatin presidencial "Elize" nga i zoti i shtëpisë, presidenti Hollande për tu bashkuar më pas me liderët nga e gjithë bota në “marshimin e bardhë”.Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kreu i qeverisë shqiptare e vlerësoi marshimin, një ditë emocionesh të forta."Ishte një ditë emocionesh të forta ku Shqipëria solli një dëshmi solidariteti e vëllazërie fetare që u çmua shumë lart në zemër të Europës".Kryeministri u shoqërua nga një delegacion i përbërë nga Ministri i Jashtëm Bushati, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Veliaj, përfaqësues të komuniteteve fetare si dhe nga disa gazetarë.