Meta: Shumica e cilësuar do të përdoret nëse nuk ka bashkëpunim
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta deklaron se reformat do të bëhen.Edhe pse marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës me ndërmjetësimin e dy eurodeputetëve Kukan dhe Flekenshtajn përcakton se mazhoranca nuk duhet të përdorë shumicën e cilësuar pa rënë dakord me opozitën, Meta thotë se reformat duhen bërë dhe shpreson në bashkëpunimin e opozitës"Dilema është midis përpjekjes dhe nevojës së ngutshme për t'i realizuar këto reforma të vonuara në kohë edhe për shkak të konfliktualitetit politik në të kaluarën apo dhe për shkak se mazhorancat në të kaluarën nuk kanë patur një shumicë të cilësuar në Parlament. Dhe së dyti, nevoja për të realizuar me konsensus, në mënyrë që jo vetëm të kemi numrat e nevojshëm për ndryshimet ligjore, legjislative, por njëkohësisht të kemi dhe një konsensus të përgjithshëm në implementimin e këtyre reformave. Në rastin konkret, unë besoj se marrëveshja është tepër e qartë, që do të thotë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për çdo reformë, e cila kërkon një shumicë të kualifikuar, që ajo të bëhet me konsensus dhe përpjekjet në këtë rast nuk do të mungojnë. Por natyrisht që në fund fare, reformat do të bëhen, sepse është një domosdoshmëri dhe besoj se edhe në pikën e parë të marrëveshjes bëhet e qartë mënyra se si do të ecet në këtë drejtim. Është e rëndësishme për Partinë Demokratike të reflektojë njëkohësisht dhe të tregojë një frymë më të përgjegjshme të bashkëpunimit. Pra për reforma që ajo vetë i ka kërkuar në të kaluarën, por nuk ka patur mundësinë" tha Meta.Ndërkaq Meta i kujton opozitës një ndër pikat e tjera të marrëveshjes"Ne kemi rënë dakord tashmë edhe përmes një rezolute, që u miratua në Parlament me konsensus të të dyja palëve, se do të respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Në këtë drejtim opozita ka ndërmarrë iniciativat e saj për të kontestuar këtë ndarje dhe është një e drejtë e saj. Por ne, e theksoj, do të respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe meqenëse ju po më përmendni mënyrën se si është ndarë Shqipëria sipas opozitës, mendoj se është shumë spekulative mënyra se si paraqitet padrejtësia, që i është bërë opozitës për arsye se nuk ka ndodhur në Shqipëri ndoshta ndonjëherë që për një reformë kaq të rëndësishme, një mazhorancë, që ka më shumë se 84 vota, t'i ofrojë opozitës një rol të barabartë në këtë reformë, siç ishte rasti i barazisë në komisionin parlamentar për reformën administrative-territoriale me 8 anëtarë nga mazhoranca, 8 nga opozita dhe dy bashkëkryetarë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. "I pyetur nga Zëri i Amerikës nëse do të arrihet të bëhen të gjitha përgatitjet për zgjedhjet Meta u përgjigj:"Shqipëria nuk është pa KQZ. Natyrisht që mungesat duhet të plotësohen dhe shpresoj të përmbushen sa më shpejt, por Shqipëria e kishte këtë KQZ edhe në zgjedhjet e përgjithshme pavarësisht kontestimit që ne patëm dhe natyrisht që ajo e bëri punën e saj. Pra nuk është ky problemi besoj."