Korçë, DSHP: Po përllogarisim dëmet reale nga zjarret
Zjarret në pyjet e qarkut të Korçës kanë përfunduar bashkë me stinën e verës, ndërsa specialistët tashmë janë shpërndarë në terren për përllogaritjen e dëmeve.Gjatë këtij viti rajoni i juglindjes është goditur si asnjëherë më parë nga zjarret në masivet pyjore, ndërkohë që zjarri në Parkun Kombëtar të Bozdovecit konsiderohet si më i pazakonti dhe me dëme kolosale në këto 20 vitet e fundit. Erjon Haruni Drejtoi i Shërbimit Pyjor për rrethin e Korçës i ka bërë një bilanc zjarreve të shumtë që ka patur juglindja gjatë muajit gusht, ndërsa sipas tij në parkun e Bozdovecit janë rreth 60 hektarë pyll i djegur totalisht, ndërsa flakët e zjarrit kanë përshkruar rreth 400 hektarë pyll me pisha, bredha, ah etj,.Prej disa ditësh specialistët janë shpërndarë në të gjitha vatrat e zjarreve për të nisur dhe përllogaritjen e dëmeve dhe masat që duhen marë pas kësaj. Ndërkohë që dëme të konsiderueshme ka patur edhe në pyjet e Voskopojës me 30 hektarë të djegur, ku ka patur 8 vatra aktive zjarri për më shumë se dy javë.Gjithashtu pylli i Kamenicës ka rreth 25 hektarë të shkrumbuara përveç disa masivëve me kullota. Sipas Harunit në rrethin e Korçës numërohen afro 130 hektarë të djegur, ndërsa në shkallë qarku mund të jenë rreth 350 hektarë pyje të shkrumbuar nga flakët e zjarrit që janë konsideruar të qëllimshme.