PDIU: Vizita e ministrit serb në Tiranë e mistershme
PDIU-ja ka reaguar sot ndaj vizitës së ministrit të jashtëm serb në Tiranë Ivan Mrkiç duke e cilësuar vizitën e tij të mistershme.Në një deklaratë për shtyp, PDIU-ja thekson se nuk është kundër marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve por shprehet se kryediplomati serb nuk duhet të krijojë kauzën e një minoriteti serb në Shqipëri.“ PDIU nuk ka asgjë kundër kontakteve diplomatike me një vend të rajonit, i cili për shkak të historisë sonë moderne si komb nuk është më fqinji ynë, por ka diçka që nuk shkon në këtë vizitë. Pse ky mister rreth takimit të tij me përfaqësuesit e minoritetit serb? Siç kuptohet në këto takime nuk ka patur asnjë media të Shqipërisë, gjë që i bën këto takime në territorin shqiptar, takime sekrete nga të cilat nuk duhet pritur ndonjë gjë e mirë. Shqipëria i ka dhënë karakter privat kësaj pjese të vizitës, por kjo s`do të thotë që kryediplomati serb të përpiqet në këto takime të krijojë artificialisht kauzën e një minoriteti serb në Shqipëri, i cili ka përmasa modeste, të cilave s`mund t`i jepet kurrfarë karakteri ndërkombëtar, dhe që mund të krijojnë probleme në marrëdhëniet dypalëshe” thuhet në deklaratën e PDIU-së.Më tej PDIU-ja thekson se Serbia nuk mund të fitojë kauzat e humbura në histori me zgjerimin e hartës së minoritetit të vet atje ku nuk ekziston si në Libofshë, apo me bosnjakët e ardhur këtu gjatë apo pas Luftës së parë botërore.“Do të ishte thyerje e mikpritjes diplomatike angazhimi në këtë drejtim, dhe Shqipëria nuk mund të tolerojë këtë për një kohë të gjatë” përfundon deklarata.