Dhunonte sistematikisht të shoqen, arrestohet 61-vjeçari

Blutë e Beratit kanë arrestuar në kushte të rezistencës dhe kundërshtimit me forcë të policisë,61-vjeçarin Beqir Dengo. Dengo është arrestuar pas denoncimit të bërë në policinë e Beratit nga bashkëshortja e tij Nadire Dengo,ndaj të cilës ushtronte prej 6-muajsh në mënyrë sistematike dhunë fizike dhe psikologjike, duke e kërcënuar atë me jetën nëqoftëse do të vazhdonte të kërkonte divorcin apo të largohej nga shtëpia.Edhe pse 56-vjeçarja Dengo kishte marrë 3 urdhra mbrojtje nga Gjykata, dhuna ndaj saj nuk është ndalur nga bashkëshorti që në të shumtën e rasteve vinte i pirë në shtëpi.Pas vizitës që ka bërë nga mjeku-ligjor, ka rezultuar se gruaja ka shenja të forta dhe të thella goditjeje me mjete të forta në të gjithë trupin si dhe plagë të vjetra në trup e kokë.Policia ka prangosur mëngjesin e sotëm bashkëshortin dhunues, 61-vjeçarin Beqir Dengo dhe materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për veprat penale"shtrëngimi ose pengimi për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesën" dhe "kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".