Topi-Cohen: Angazhim për forcimin e bashkëpunimit Shqipëri-Izrael

Gjatë takimit miqësor të zhvilluar sot midis kryetarit të FRD Bamit Topi dhe Ambasadorit të Izraelit David Cohen bashkëbiseduesit folën për marrëdhëniet midis dy vendeve tona si dhe vullnetin e përbashkët për zgjerimin e tyre në të gjitha fushat me interes reciprok.Në takim ku ishte i pranishëm edhe z. Oketa, kryetari i FRD shprehu vlerësimin e lartë për shtetin e Izraelit, për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë, si dhe për rolin dhe kontributin e tij të njohur në forcimin e paqes dhe sigurisë.Ai kujtoi dy vizitat e tij të suksesshme në Izrael, në takimet me krerët e lartë të shtetit izraelit dhe institucione të tjera me rëndësi. Duke u ndalur në nevoja të thellimit të bashkëpunimit, Topi shprehu dëshirën për më shumë prezencë ekonomike të biznesit izraelit në vend.Një vend të veçantë në takim zunë shkëmbimet e pikëpamjeve për zhvillimet politike në rajon, ku kryetari i FRD theksoi edhe njëherë rëndësinë e mbështetjes së shtetit të ri të Kosovës.Më tej dy bashkëbiseduesit folën për zhvillimet politike në Shqipëri. Kryetari i FRD shprehu pikëpamjet e Frymës së Re Demokratike për ecurinë e procesit integrues, situatën parazgjedhore dhe bindjen e tij se kjo parti, me programin, ekipin dhe projektin e tij qytetar do të jetë faktor përcaktues në qeverisjen e ardhshme.Ai garantoi se FRD, ndryshe nga modelet e vjetra të tranzicionit, do të jetë mbështetëse e plotë e projektit integrues të Shqipërisë, si dhe siguroi përkushtimin e saj për thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit me shtetin izraelit.