Kosova brenda tre muajve aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Brenda tre muajve, Kosova do të aplikojë për anëtarësimin në Këshillin e Europës. Ky është lajmi i mirë që zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, u ka dhënë ministrave në mbledhjen e qeverisë të mërkurën. Sipas tij, Kosova i ka plotësuar kriteret për të ndërmarrë këtë nismë, çka është konfirmuar edhe në takimin që ka pasur në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Europës, Torbjorn Jagland."Prej 47 shtetesh të Këshillit të Evropës, 34 prej tyre e kanë njohur shtetin e Kosovës, pra dy të tretat. Kosova ka plotësuar angazhimet dhe kriteret për aplikim dhe anëtarësim. Shpresojmë se në mënyrë të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë të aplikojmë në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Duam të besojmë se aplikimi ynë nuk do të ngjallë ndonjë debat të panevojshëm në Këshill të Evropës, sepse është një procedurë paksa e gjatë prej aplikimit deri në anëtarësimi, duke marrë parasysh edhe përvojat e vendeve tjera të Evropës Juglindore", tha Thaçi.Kreu i diplomacisë së Kosovës ka konfirmuar se gjatë qendrimit në Bruksel është takuar edhe me komisionerin Johanes Han dhe shefen për siguri dhe politika të jashtme Frederika Mogerini, ku ka biseduar për çështjen e liberalizimit të vizave, vazhdimin e dialogut dhe krijimin e Gjykatës Speciale."Është diskutuar edhe për nevojën e nxjerrjes së legjislacionit për formimin e Gjykatës Speciale dhe ligjin për pjesëmarrjen në luftërat e huaja, për çka si qeveri e kemi proceduar në Kuvendin e Kosovës", theksoj Thaçi.Në mbledhjen e së mërkurës, qeveria ka miratuar për shqyrtim edhe një sërë projektligjesh të rqëndësishëm, si aprovimi i fondeve për Bashkinë e Prishtinës.