Policët që do dalin në pension të parakohshëm, 173 mijë lekë më shumë

Policët që do të dalin në pension të parakohshëm ose pension suplementar do të përfitojnë një rritje pensioni prej 173 mijë lekë më shumë se me ligjin e vjetër.Ndërkohë që 640 punonjësit e policisë që kanë mbi 30 vjet punë do të përfitojnë një pension që llogaritet në 400 mijë lekë në muaj.Kjo u bë e ditur nga kryeministri Edi Rama në takimin me familjarët e policëve të rënë në detyrë dhe ushtarakëve në misionet jashtë vendit‏.“Të gjitha këto nuk janë mjaftueshëm për të shpërblyer një ndër punët më të vështira në Republikën tonë dhe për njerëzit që çdo ditë dalin nga shtëpia për të shkuar dhe për të luftuar në frontin më të vështirë, frontin e luftës kundër krimit, por të gjitha këto janë një shprehje kuptimplotë e vetëdijes sonë se në çdo moment që do të kemi mundësi të bëjmë më shumë, në radhë të parë do të bëjmë më shumë për njerëzit që nën uniformën blu i përkushtohen sigurisë së të gjithë qytetarëve tanë,” u shpreh Rama.Rama duke përmendur sërish gjëndjen e rëndë financiare të trashëguar u shpreh se mbetet e përkushtuar për të ndihmuar të gjithë punonjësit e policisë së shtetit dhe Forcave të Armatosura.”Kemi trashëguar një situatë shumë të rëndë financiare. Jemi në rrugën e mbarë të daljes nga një katrahurë financiare dhe nga një qorrsokak rrënimi ekonomik dhe kemi qenë të detyruar t’i nënshtrohemi një programi të rreptë reformash, një ndër pikat e të cilit është se na duhet pak kohë, dy a tre vjet, përpara sesa të mendojmë dhe të veprojmë për rritjen e rrogave të të gjithë punonjësve të shtetit.”I pranishëm në këtë aktivitet, ministri i Brendshëm Tahiri siguroi edhe një herë se fëmijët e policëve të vrarë do të mund të hyjnë në Akademinë e Policisë pa konkurs, për të ndjekur gjurmët e prindërve të tyre.Ndërsa ministrja e Mbrojtjes përshëndeti në prag të festave, ata ushtarakë që ky fundvit, i gjeti në krye të misioneve jashtë vendit.