PD e do seancën plenare vetëm për rezolutën, Ruçi refuzon

Takimin e parë me rikthimin e opozitës në Kuvend palët politike e kanë pasur në Konferencën e Kryetarëve, ku PD ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës.Kreu i grupit Paloka, duke e cilësuar një ngjarje të rëndësishme kthimin e opozitës në Kuvend, ka kërkuar që seanca të nisë me rezolutën dhe miratimin e saj si dhe miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat nuk kanë kundërshti nga palët dhe nuk hanë debat politik.“ Patëm një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve për të diskutuar lidhur me procedurën, është normale sepse nuk mund ta konsiderosh kthimin e opozitës në Kuvend si një ngjarje të zakonshme, është bërë pas një bojkoti të gjatë, negociatave të gjata mes palëve dhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.Është një ngjarje e jashtëzakonshme sot dhe për këtë arsye këruam që Konferenca e Kryetarëve të përcaktojë mënyrën sesi do të procedojmë, pasi është e logjikshme që fillimisht të trajtohet rezoluta e përbashkët në parlament, pasi është rezoluta që po na rikthen në Kuvend dhe pa miratimin e saj nuk do ishte e logjikshme që ne të hynim në Parlament.Pra kërkuam një proçedurë normale, për më tepër që dhe mbrëmë vonë negociatorët kanë rënë sot dakord që do ketë vetëm dy marrëveshje ndërkombëtare që nuk kanë debat politik. Që rezoluta do miratohet e para dhe më pas këto marrëveshje që kuptohet nuk kanë ndonjë kundërshtim as nga mazhoranca as nga opozita”.Paloka pranoi se rendi i ditës ka qenë i miratuar paraprakisht, por theksoi se kjo nuk do të ishte hera e parë që do spostoheshin ligje.“Por sot gjendemi përballë një rendi dite që është përcaktuar më herët , me disa projektligje mjaft të rëndësishme, disa prej tyre si ai ai i marrjes së borxhit nga qeveria pa leje të Kuvendit, është një ligj antikushtetues dhe që të futen në diskutim sot në Kuvend projektligje të tilla, dhe opozita të mbetet jashtë diskutimit të tyre nuk duket normale. Ndaj ne sot kërkuam që këto projektligje të shtyhen, siç ka ndodhur jo rrallë herë, sot të miratohet rezoluta si ngjarja më e rëndësishme e ditës dhe nëqoftëse ka ndonjë marrëveshje për të kaluar nuk kemi ndonjë kundërshtim”.Një propozim i tillë ka hasur në refuzimin e kreut të grupit socialist Ruçi, i cili ka kërkuar që Kuvendi të vijojë me rendin e ditës. Një qëndrim të tillë, Paloka e cilësoi si një sinjal jo të mirë.“Por zoti Ruçi deri në këtë moment nuk e pranoi një gjë të tillë, kërkoi të vazhdojë rendi i ditës pa ndonjë ndryshim. Mua më vjen keq që sot fillohet me forma të tilla. Me idenë e qartë që ta injorojmë rezolutën, shpresojmë që dhe mazhoranca ka qenë e sinqertë në nënshkrimin e kësaj rezolute dhe nuk do duam që kjo mazhorancë ta ketë bërë këtë akt sa për të kaluar radhën. Gjë që po duket në veprimet e para të saj. Fakti që kërkojnë të injorojnë, ta trajtojnë si diçka ordinere nuk është shenjë e mirë”.Si rrjedhojë Konferenca e Kryetarëve ka shtyrë me një orë seancën, kjo dhe për ti dhënë kohë grupit parlamentar socialist të njohet dhe mbajë qëndrim për rezolutën.Megjithatë Paloka tha se edhe nëse proçedohet me këtë rend dite opozita do jetë në Kuvend, por do tu duhet të hyjnë diskutimin e projektligjeve.“Ne do diskutojmjë me grupin, jemi seriozë jo karagjozë.Ne e kemi miratuar këtë rezolutë në grup. Po nga konferenca e kryetarëve mësuam se grupi i PS ende nuk ka marrë vendim për rezolutën, pasi u kërkua që deputetët socialistë të marrin rezolutën, të njihen me të dhe pastaj të mbajnë qëndrim.Pavarësisht nënshkrimit të mbrëmshëm duket që nuk paskemi një vendim të grupit socialist dhe kjo se bën aspak serioze. Megjithatë ne vendosëm që pas një ore të fillojë seanca.Ne do të shqyrtojmë në grup pozicionin e ri për rendin e ditës, nëse mazhoranca do këmbëngulë për këtë rend dite ne kemi vendsur të hyjmë në Kuvend dhe do ta mbajmë këtë qëndrim, por do të na duhet të hymë në diskutimin e projektligjeve dhe kaq”.