Meta: Shpresoj që opozita të kthehet në Kuvend para Krishtlindjeve
A do ketë marrëveshje që opozita të kthehet në parlament apo do të ketë rrugë të tjera? Është një dokument që diskutohet mes palëve, apo do ketë rrugë të tjera në diskutim?
Unë besoj se janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës dhe çdo kërkesë që synon një funksionim më demokratik dhe transparent të Kuvendit ka qenë dhe mbetet gjithmonë e mirëpritur. Ne jemi të vendosur për transparencë dhe gjithpërfshirje.
Do të vijë opozita të mërkurën, cilat janë sinjalet që përcolli Kukan tek ju pas takimit me Bashën?
Kjo është një pyetje që i takon për t’iu përgjigjur zoti Paloka si kryetar i grupit parlamentar, sepse unë nuk mund të marr përsipër të flas dhe në emër të opozitës. Megjithatë opozita është e mirëpritur në çdo moment për të përmbushur rolin dhe funksionin e saj në Parlament dhe unë do të shpresoja shumë që kjo gjë të ndodhë para Krishtlindjeve.
Nëse nuk ndodh përpara Krishtlindjeve, z. Meta, a është opozita përpara djegies së mandateve sipas afatit ligjor?Nuk është momenti të flasim për djegie, por për përfshirje, për dialog, jo thjesht për të evituar një djegie mandatesh por për të ndarë një herë e mirë politikën tonë nga fryma e bojkotit dhe konflikteve që nuk është një frymë e re dhe e shfaqur thjesht së fundmi. Duhet të krijojmë një traditë të qëndrueshme të një demokracie funksionale dhe të një dialogu gjithashtu jo vetëm të qëndrueshëm, por edhe funksional, pra që ndihmon në realizimin e reformave që kërkon vendi.Këtë gatishmëri e keni shprehur që prej shtatorit ndaj opozitës. Nëse ajo do të kishte besuar në fjalën tuaj mund të kishte hyrë që në shtator në Parlament, por kërkonte një garanci ndërkombëtare. Si mund të vijë kjo garanci ndërkombëtare? A duhet një pakt, siç jemi mësuar në të gjithë këto vite demokraci apo një rezolutë e firmosur në Kuvend?Fakti që ne kemi tashmë një angazhim të dy eurodeputetëve të njohur, z. Fleckenstein dhe të z. Kukan, tregon se ka një vëmendje ndërkombëtare për të mbështetur rivendosjen e dialogut politik në vendin tonë dhe unë shpresoj që ky angazhim i z. Kukan dhe z. Fleckenstein të jetë i suksesshëm sepse kjo është në radhë të parë shumë pozitive për politikën tonë.25 vjet pas rënies së komunizmit, a është sërish klasa politike që duhet të mbikëqyret nga garancia ndërkombëtare përkundër sa keni deklaruar se nuk do të jemi më në të tilla kushte?Kjo nuk është çështje mbikëqyrje mendoj unë, është çështje standardesh. Ne kemi bërë një zgjedhje për t'u integruar plotësisht në Bashkimin Europian dhe ky bashkëpunim edhe me Parlamentin Europian më duket i natyrshëm dhe në fund të fundit, e rëndësishme është që të ecet përpara drejt një dialogu të qëndrueshëm dhe një dialogu afatgjatë që ndikon Shqipërinë të përmbushë më shpejt standardet e saj në rrugën e reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe dihet që dialogu politik është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim.