"Ndërkombëtarët, jo qytetarët, ndikojnë në prioritetet e qeverisë Mustafa"
Prishtine- Qeveria e Kosovës me kryeministër Isa Mustafën dhe zv/ kryeministër të parë Hashim Thaçi do të fokusohen në realizimin e prioriteteve të caktuara nga ndërkombëtarët më shumë se në përmirësimin e situatës ekonomike të shqiptarëve të Kosovës.Këtë e parashikon analisti Belul Beqaj, i cili në një lidhje telefonike në emisionin “Ballkan Magazine” të gazetares Linda Karadaku në Ora News thotë se ndikimi i qytetarëve është më i vogël se ai i ndërkombëtarëve.“Qeveria e re do të përqëndrohet në ato prioritete që janë me rëndësi për ndërkombëtarët siç janë krijimi i komunave serbe, që e kanë prioritet nga marrëveshja e Brukselit dhe krijimi i Gjykatës Speciale për Krimet e Luftës.Këto do të jenë më të rëndësishme se prioritetet që kanë të bëjnë me varfërinë dhe situatën ekonomike të qytetarëve.Qytetarët e Kosovës kanë pasur pak zë në përcaktimin e prioriteteve të qeverisjes. Ndikimi i tyre ka qenë më i vogël se ai i ndërkombëtarëve. Ata e kanë caktuar këtë formacion të qeverisë “ thotë Beqaj.Ai vlerëson si pozitive fakti që ka nisur të funksionalizohet qeveria, ‘por si do të punojë dhe me çfarë intensiteti varet nga nevojat e ndërkombëtarëve sesa ato që kanë qytetarët.""Është më me rëndësi çfarë mendojnë ambasadat e huaja. Çështje e hapur mbetet si do të funksionalizohet Gjykata Speciale dhe si do të konstituohen komunat serbe, në një situatë të paqartë ekonomike dhe të paqëndrueshme nga pikëpamja sociale e ekonomike.”Qeveria e re ridërgoi në Kuvend pr/buxhetin 2015 i cili nuk parashikon rritje pagash me 25 % siç u premtua. Ndërkohë viti 2015 do të sjellë një sërë sfidash, si miratimi i Gjykatës Special, miratimi dhe krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe ruajtja e paqes sociale në vend.(Intervista e analistit Belul Beqaj nis në minutën e 10:38 të emisionit "Ballkan Magazine") sg/Oranews.tv/