Tritan Shehu: Rama po gënjen për sistemin e shëndetësisë
Nënkryetari i komisionit të shëndetësisë Tritan Shehu i ka cilësuar si të pavërteta shifrat e paraqitura nga kreu i PS-së Edi Rama dje në tryezën për shëndetësinë.Në një prononcim për mediat, Shehu i është përgjigjur edhe akuzave të kryesocialistit se mazhoranca po kopjon programin e PS-së për Universitetin mjekësor."Një sukses tjetër i ri i sistemit tonë shëndetësor dhe arsimor është krijimi tashmë i Universitetit Mjekësor. Z.Rama përsëri spekulon kur thotë se ky ishte projekti i PS. Këtë projekt e ka propozuar Berisha që në mandatin e parë qeverisës 2005-2009. Së dyti, Rama akoma nuk po e kupton se për çfarë bëhet fjalë. Ai tha se QSUT-ja po kthehet në Universitet. Nuk është e vërtetë dhe nuk mund të jetë kështu. QSUT-ja është spital universitar e jo Universitet. Universiteti që krijohet është diçka tjetër e lidhur me QSUT-në” tha Shehu.Ai gjithashtu i cilësoi si të pavërteta premtimet e kreut të PS-së Rama për shërbim shëndetësor falas dhe për sektorin e dializës."Një nga sektorët më të suksesshëm në këtë drejtim është sektori i dializës.Dje Z.Rama sulmoi këtë sektor duke tentuar të mashtrojë publikun. Z. Rama tregoi përsëri një fobi për iniciativën private dhe e denigroi këtë sektor si në kohën e “kulakëve”. Në vitin 2005 në dializë në Shqipëri kishte vetëm rreth 50 paciente. Sot janë mbi 700 të tillë dhe numri po shtohet. Trajtimi i tyre bëhet në klinikat shtetërore dhe në ato private. Edhe në klinikat private çdo gjë paguhet nga sistemi i sigurimeve. Pacienti nuk paguan asnjë qindarkë. Z. Rama nuk thotë të vërtetën dhe për koston e dializës te ne e rajon. Sot kostoja te ne është 75-80 E për procedurë, përfshirë të gjitha shërbimet e tjera si analizat, fistulizimi, trajtimet paralele, transportin, radiologjinë etj. Ky çmim është vendosur që në vitin 2003, nga një komision i gjere. Pra, kemi të bëjmë përsëri me një politikë thjesht nihiliste me mashtrime” shtoi Shehu.