Bllokohet rruga Tiranë- Elbasan, rrëshqitja e dherave rrezikon 30 banesa në Ibë

Rruga Tiranë- Elbasan është bllokuar prej orëve të para të mëngjesit për shkak të një masivi të madh dheu që është shkëputur në fshatin Ibë,  në dalje të Tiranës aty ku po bëhen punimet e autostradës. Jo vetëm kaq, një shtyllë  e tensionit të lartë është rrëzuar, një dyqan është dëmtuar, ndërsa rrezikohen dhe rreth 30 banesa të tjera buzë rrugës.Masivi i dherave u shkëput nga një kodër në vendin ku po kryhen punimet për rrugën e re Tiranë- Elbasan, rreth orës 03:00 të mëngjesit, dhe sipas policisë situata mbetet e rrezikshme pasi priten të tjera rrëshkitje.Sot paradite prefekti i Tiranës, Sadri Vorpsi dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Artan Didi shkuan në fshatin Ibë për të ndjekur situatën nga afër.Prej orëve të para të mëngjesit është ndërprerë qarkullimi i mjeteve në të dy krahët e rrugës Tiranë dhe Elbasan. Policia rrugore ka marrë masa duke vendosur patrulla në të dyja anët e rrugës për të orientuar drejtuesit e mjeteve të qarkullojnë në drejtim të Elbasanit nga Durrësi.Në orën 09:30 minuta gazetarja e Ora News Erblina Mile raportonte nga vendi i ngjarjes se qytetarët këtë  pjesë të aksit, (rreth 200 metra) e bëjnë në këmbë pasi policia nuk lejon lëvizjen e mjeteve.(Video: Banorët në Ibe rrëfejnë rreth rrëshqitjes së dheut)/Oranews.tv/