Tjetër skandal në EULEX, nën hetim dy Prokurorë që “kryqëzuan” Limaj

Misioni i EULEX-it përfshihet edhe në një skandal tjetër. Dy ish-pjesëtarë të këtij misioni, Romuald Pikard dhe prokurorja Isabela Arnal, pritet të hetohen për afërsinë e tyre me politikanë të fuqishëm kosovarë, të cilët dyshohet të kenë orkestruar aktakuzën kundër ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj për krim të organizuar dhe korrupsion.Pikard, që ka qenë këshilltar i ish-shefit të EULEX-it, dyshohet se ka pasur lidhje të afërta me njerëz të PDK-së, përkatësisht me kreun e Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, sot kryetar i Kuvendit të Kosovës.Për përpilimin e dosjeve me pretendime të pavërteta, në rastin e Ministrisë së Transportit, do të hetohet edhe Prokurorja Isabele Arnal.Për këto ka folur publikisht edhe i akuzuari Fatmir Limaj, i cili ka thënë se është i gatshëm të ofrojë të gjitha dëshmitë hetuesve të EULEX-it për të dy këta persona.Megjithatë, EULEX-i nuk ka pranuar të komentojë për këtë skandal të dytë që vjen pas atij të Prokurores Maria Bamieh.Madje, pikërisht për skandalin në fjalë, Avokatja e Popullit e Bashkimit Europian, Emili O'Rajli, ka ngritur alarmin për zhdukjen e dosjes së raportit të hartuar që në vitin 2012.Gjatë hetimeve që ka kryer vetë O'Rajli, ka zbuluar se Kontrolli i Brendshëm i Shërbimit Europian të Punëve të Jashtme i ka evidentuar që prej dy vitesh, e madje ia ka dorëzuar raportin shefit të misionit në Prishtinë, por tashmë asnjë prej dy institucioneve nuk e kanë më në zotërim këtë raport dhe askush nuk e di çfarë bëhet me të.Ajo ka nisur hetimet tashmë për të zbuluar arsyet e zhdukjes së raportit në fjalë.