Qeveria Renzi ndryshon kodin e punës, Italia në kaos nga protestat sindikale
Kanë degjeneruar në skena dhune në të gjithë Italinë protestat mbarëkombëtare të mbajtura në 54 qytete këtë të premte nga dy Sindikatat më të mëdha të punëtorëve, të cilat kundërshtojnë projektligjin e qeverisë për lehtësimin e kushteve të kodit të punës.Udhëheqësit e dy Sindikatave, ishin të pranishëm në manifestimet e Torinos dhe Romës, ku nuk kanë munguar përleshjet. Edhe në Milano, nuk kanë munguar përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit.Reformat e Rencit janë kundërshtuar ashpër nga dy Sindikatat më të mëdha të punëtorëve, por edhe nga vetë brenda Partisë Demokratike.Sipas projektligjit, të quajtur "Jobs Act", kompanive u lehtësohen proçedurat e shkarkimit të punonjësve nga puna, një përpjekje kjo e Kryeministrit 39-vjeçar për të ringjallur biznesin në vend pas një viti të mbyllur në reçesion.Por duke parë nivelin rekord të papunësisë në vend, sidomos të rinisë, 40% e së cilës është pa punë, Sindikatat thonë se pesha e këtyre reformave bie e gjitha padrejtësisht mbi punëtorët dhe qeveria nuk po bën asgjë për ta ndryshuar situatën.Për shkak të protestave, aeroportet kryesore italiane kanë anulluar ose shtyrë edhe fluturimet, duke lënë qindra udhëtarë të bllokuar.Mbi protestat dhe grevat e mbajtura ka ndërhyrë edhe Presidenti, Xhorxho Napolitano, i cili në një takim me gazetarët në Torino, ka thënë që edhe pse grevat e Sindikatave janë të drejta, gjendja nuk duhet të degjenerojë në skena të tilla, si ato që u panë në rrugët e qyteteve italiane.Ndërsa, vetë Renci, i ndodhur në Ankara ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik italo-turk, këmbëngul tek e vetja, duke thënë se politikanët duhet të kenë guxim që të ndërmarrin reforma, sidomos në Itali, ku ndryshimi është i domosdoshëm.
