Rusi-Indi, Putin përpjekje për të rigjallëruar marrëdhëniet
Presidenti rus, Vladimir Putin, u takua me kryeministrin Indian, Narendra Modi, në Nju Delhi, në një përpjekje për të ringjallur miqësinë historike mes vendeve, por të zbehur me kalimin e viteve.Në qendër të takimit, është forcimi i bashkëpunimit mes Rusisë dhe Indisë në fushën e energjisë, të mbrojtjes dhe energjisë bërthamore. Takimi i parë i Putin me Modin vjen në një kohë kur Rusia është në një marëdhënie kritike me Perëndimin për shkak të krizës së Ukrainës, dhe ekonomia e saj është gjithashtu në situatë kritike, ku çmimi i naftës ka rënë në pikën më të ulët.Kompania shtetërore ruse Rosatom tha se do të ofrojë 12 reaktorë të energjisë bërthamore për Indinë në 20 vjet. Ndërkaq një reaktor 1000-megavat është duke operuar në stacionin rus të ndërtuar në provincën e Indisë Tamil Nadu, dhe një i dytë do të vihet në funksion në 2015-ën.Autoritetet indiane thanë se në këtë zonë do të ndërtohen 6 reaktorë gjithsej.Pritet që dy udhëheqësit të nëshkruajnë një marrëveshje strategjike, e cila do të fokusohet në një bashkëpunim të gjerë në shumë fusha në një afat kohor të gjatë.Gjithashtu marrëveshja do të përfshijë edhe çështjen e sigurisë, ku Rusia dhe India do përforcojnë bashkëpunimin me nënshkrimin e projekteve të gjata dhe funksionale për të dyja vendet.