Vlorë, 90 familje në errësirë, u presin energjinë sepse nuk e kanë paguar

Vlorë - Pamjet nuk janë marrë nga ndonjë websajt ku tregohet ndonjë fshat afrikan. Jemi në Shqipëri, pikërisht në qytetin e shumëfrekuentuar të Vlorës.Janë 90 familje, shtresa në nevojë, vendosur mbi 20 vjet më parë aty nga bashkia e Vlorës për strehim të përkohshëm, i kthyer në një zgjidhje të përhershme, duke i lënë aty, tek ish gabinat e “Plazhit të vjetër”, vetëm pak metra nga zona e Skelës.Tashmë mjerimit, i është shtuar edhe errësira.Në çdo derë që mes bujarisë të ftojnë të hysh, gjen një histori dhimbjeje.Shumica e këtyre banorëve jetojnë me ndihme ekonomike, disa të tjerë me ç`të mundin, KEMP-e invaliditeti, pension jetimi, etj.Mes 90 familjeve, shumica janë fëmijë që zgjidhjen e vetme për t'i shpëtuar të ftohtit, kanë gjetur strukjen nën batanije.Skamja ka përfshirë fëmijërinë e këtyre të vegjëlve që në vend të lodrave, përjetojnë çdo ditë ankthin e bukës së gojës. Një lagje e denjë për një vend të botës së tretë.Vetëm pak metra më tutje, dritat ndezin qendrën e qytetit, por braktisja e këtyre banorëve, lindur e rritur në Vlorë, na ndjekë pas pandashëm si një hije e errët, ashtu si terri ku ata janë lënë./Oranews.tv/