Kontrabandë nafte, arrestohen 17 persona në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar këtë të mërkurë 17 persona të cilët akuzohen për kontrabandë karburantesh dhe mallrave të tjera nga Serbia, si dhe për evazion fiskal.Ndërkohë 5 të tjerë janë ende në kërkim nga autoritetet. Sipas raportimeve në Kosovë, personat në fjalë e kryenin veprimtarinë e tyre të jashtëligjshme në 12 pika karburanti në disa Komuna të vendit, si në Obiliq, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Suharekë, Gjakovë, Deçan e Vushtri. Operacioni është zhvilluar nga policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë dhe doganën e EULEX-it.Sipas autoriteteve, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 24 500 euro, 11 armë të kalibrave të ndryshëm, 5 vetura, 8 autobote karburanti në të cilët ruhet nafta, 20 kompjutera, 35 telefona celularë, dhe kimikate të tjera që përdoreshin për modifikimin e karburanteve.Megjithatë, ata nuk e dinë ende me saktësi se sa është dëmi i shkaktuar nga ky aktivitet kriminal, edhe pse parashikimi i deritanishëm është disa qindra mijëra euro.Prokurori i çështjes, Elez Bakaj, konfirmoi se hetimet për këtë grup kanë nisur që prej majit të këtij viti."Krim të organizuar, kontrabandim të mallrave edhe evazion fiskal. Pas hetimeve të përbashkëta të zhvilluara që muaji maj i këtij viti, pra i vitit 2014, lidhur me veprat e lartcekura për veprimtari kriminale të një grupi mjeti strukturor, të organizuar që në vazhdimësi merrej me kontrabandimin e mallrave, përkatësisht derivateve të naftës, vajrave, cigareve e mallrave tjera, sot me datë 10.12.14 në Obiliq, Vushtrri, Mitrovicë, Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Prizren, Suharekë, Mamushë, Gjakovë, Deçan dhe Pejë, pra në gjithsej në 38 lokacione të ndryshme, ka realizuar një operacion të kontrollit të lokacioneve dhe po ashtu edhe arrestimet e të dyshuarave", tha ai.Operacioni, i cili mbante emrin e koduar "Transportuesi", është përgëzuar edhe nga shefi i njësisë së EULEX-it, për hetimin ndaj krimit të organizuar, Alan Eduards.Në takimin me mediat, policia konfirmoi se një pjesë e mirë e pikave të shitjes në territorin e Kosovës furnizoheshin nga grupimi kriminal në fjalë.