Shansi i Ukrainës, zv.presidenti amerikan Biden thirrje për ndryshim

Ukraina nuk mund të humbasë shansin për të përmirësuar situatën e saj.Kështu ka deklaruar zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, duke shtuar se këta njërëz u kanë bërë ballë plumbave të snajperave, të ftohtit të acartë dhe shumë situatave të tjera të vështira, vetëm për ti dhënë vetes së tyre një shans për të ndryshuar rrënjësisht vendin për të mirën e tyre.“Dhe ata e kanë sërish këtë shans, nuk mund ta shpërdorojnë këtë mundësi. Nuk besoj se në të ardhmen e afërt mund të vijnë mundësi të tilla, ndaj është koha për të vepruar”, tha Biden.Në një fjalim në Institutin Demokratik Kombëtar në Uashington, Biden tha se reagimi i dhunshëm kundër institucioneve  demokratike nga autokratët, ku njëri prej tyre është edhe Putin, ka çuar në rritjen e korrupsionit, duke komplikuar gjendjen në Ukrainë."Ukraina ka qenë një kleptokraci. Disa mendojnë se është fyese të thuash diçka të tillë, por ky është realiteti. Por vendi ka bërë një përparim të madh, edhe pse ende ka pengesa të mëdha në rrugën e saj integruese, tha Biden.Deklarata e zëvendëspresidentit amerikan vjen një ditë pasi zyrtarët ushtarakë të Ukrainës deklaruan se separatistët pro-rusë kanë shkelur në mënyrë flagrante ditën e heshtjes, një nisëm kjo e presidentit Poroshenko, në përpjekje për të rihapur bisedimet me rebelët për vendosjen e paqes në vend.Forcat qeveritare ukrainase thanë se kishin pezulluar operacionet luftarake nga ora 10 e të martës, por gjatë natës rebelët  goditën pozicionet e Ukrainës, dhe sulmuan artilerinë e vendosur në aeroportin e Donetskut.