Rama: BE më strategjike, Ballkanit po i soset durimi. Mungon Vuçiç
Në këtë periudhë sfidash të vështira, Unioni duhet të jetë më strategjik pasi durimi i Ballkanit po soset nga politika e zgjerimit e Bashkimit Europian.Kështu ka deklaruar kryeministri, Edi Rama, i cili gjatë qëndrimit në Bruksel mori pjesë në konferencën vjetore organizuar nga miqtë e Europës me përfaqësues të BE-së dhe rajonit, një takim në të cilin ra në sy mungesa e Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç.Kreu i qeverisë shqiptare, kërkoi një vëmëndje më të madhe nga Europa drejt vendeve të Ballkanit."Unioni është gjithnjë e më shumë taktik dhe gjithnjë e më pak strategjik. Ju përmendët Kinën dhe Rusinë, të cilat për arsye dhe objektiva të ndryshëm duken fuqi shumë më strategjike se vetë Bashkimi Europian.Ndaj mendoj se trajtimi i problemeve të sotme nuk vjen me performancën e një Europe taktike, por duke gjeneruar një Europë strategjike. Ajo që shihni sot si sukses të madh në Ballkan mund të shndërrohet në një makth nëse Europa nuk e kupton se duhet t'i kthehet Ballkanit e të heq dorë nga puna e zakonshme, sepse kjo mund të jetë shumë e dëmshme".Edhe një herë Rama u kujdes të theksojë se Ballkani ka nevojë për Europën, po aq sa Europës i nevojitet Ballkani."Sigurisht që ne nuk mund të shmangim detyrat e shtëpisë, por po kaq e sigurtë është se ne nuk mund të ushqejmë shpresën dhe ëndrrat e njerëzve me kapituj integrimi. Njerëzit nuk do të jenë të gatshëm vërtet për të vijuar vit pas viti me thëniet 'ia dolëm për kapitullin 23 e tani nis kapitulli 24', ndërsa vitin tjetër kapitulli 36.Duhet të bëjmë diçka paralelisht, sepse unë besoj fort se sot më shumë se kurrë Ballkani ka nevojë për Europën, po aq sa Europës i nevojitet Ballkani. Sot është kyçe për Europën që të zgjerohet me Ballkanin, pasi unë mund ta kuptoj lodhjen nga zgjerimi, por Europa duhet të kuptojë lodhjen e durimit. Lodhja nga durimi në Ballkan është një gjë mjaft e nxehtë".I pranishëm në konferencë, në panel me Kryeministrin shqiptar, ishte edhe kreu i delegacionit për Serbinë, Eduard Kukan, i cili tha se Ballkani nuk duhet të heqë dorë nga angazhimi drejt BE-së, por të vazhdojë të plotësojë prioritetet."Besimi fitohet kur ne dorëzojmë arritje, të dy palët, si vendet në rajon dhe ne si Bashkim Europian. Ne nuk mund të heqim dorë nga angazhimi ynë dhe duhet të tregohemi seriozë. Për kolegët në rajon ka tre fusha që janë më të domosdoshmet: sundimi i ligjit, gjyqësori dhe ekonomia".Në konferencën e "Miqve të Europës" u diskutuan edhe zbatimi në terren i marrëveshjes së prillit 2013 mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për përlasjet Maqedoni-Greqi për çështjen e emrit.