Senati akuza CIA-s, praktika brutale me të dyshuarit për terrorizëm
Programi i përdorur nga CIA për të marrë në pyetje të dyshuarit për terrorizëm pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 ishte shumë më tepër brutal se sa kishte pranuar vetë agjencia dhe kishte dështuar në synimin e tij për të siguruar informacione për parandalimin e rreziqeve të mëtejshme.Me këtë përfundim, raporti i Komisionit hetimor të senatit për shërbimin informativ, hodhi akuza të rënda ndaj CIA-s, duke thënë se ka keqinformuar publikun dhe politikbërësit në lidhje me programin e ndjekur, të cilin e kishin zhvillur dhe administruar dy kompani private.Raporti prej 6200 faqesh u përpilua pas një hetimi pesëvjeçar nga Komisioni hetimor i senatit për agjencitë e inteligjencës, por për publikun u nxor vetëm një ekstrakt 480-faqësh, të prezantuar nga kryetarja e komisionit, Dajen Fajnstin."Edhe sikur t'i linim mënjanë argumentat moralë, raporti ynë ishte një analizë e përpiktë dhe e detajuar e të dhënave të regjistruara. Prej tij zbuluam se mënyrat e rënda të marrjes në pyetje nuk kanë bërë të mundur sigurimin e informacionit, që përndryshe nuk do të ishte i mundur, sikurse pretendon CIA".Në hetime janë analizuar mënyrat e marrjes në pyetje të pjesëtarëve të Al-Kaedas që mbaheshin të burgosur, për të përfituar më shumë informacion për krerët e organizatës terroriste.Në raport përshkruhet se si një anëtar i Al-Kaedas, Abdel Rahman Al-Nashiri, i dyshuar për një sulm terrorist në vitin 2000, ishte kërcënuar me shkarkesa elektrike.Në raport përshkruhet edhe një burg i fshehtë i CIA-s, vendi i të cilit nuk bëhet i ditur, ku të burgosurit mbaheshin të izoluar në errësirë të plotë dhe bombardoheshin me zhurma apo muzikë me zë të lartë.Gjithashtu, është vërtetuar se në 83 raste të burgosurit janë torturuar duke iu zhytur kokat në vaska me ujë për t'i mbytur, ndërsa të tjerë janë lënë pa gjumë për 180 orë rresht, pa marrë ndihmën e duhur mjekësore.Ndërsa i vetmi rast kur një i burgosur ka humbur jetën është shënuar në vitin 2002, pasi ishte lënë i lidhur me zinxhirë për disa ditë, gjysmë i zhveshur.Ndërsa jashtë territorit amerikan, janë ngritur pretendime se CIA ka pasur burgje në Poloni dhe Rumani, në të cilat merrte në pyetje të dyshuarit për terrorizëm.Por pavarësisht pretendimit të Komisionit hetimor se programi nuk i kishte dhënë rezultatet e duhura, përfaqësues të lartë të CIA-s dhe administratës amerikane e kanë mbrojtur atë, me argumentimin se prej tij janë shmangur mjaft sulme të tjera të mundshme terroriste.Në vitin 2010, edhe ish-Presidenti Xhorxh Bush, pati thënë se metodat e marrjes në pyetje kanë qenë mjaft efektive dhe kanë siguruar informacione të mjaftueshme mbi strukturat e Al-Kaedas dhe vendndodhjen e disa prej organizatorëve të sulmeve të 11-shtatorit.Para publikimit të raportit, qeveria amerikane ka marrë masa për të siguruar me forca shtesë Ambasadat e saj në disa vende të botës, duke iu frikësuar ndonjë reagimi të mundshëm për shkak të të dhënave që u bënë publike.