Politika serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në KON: Vendim politik
Nuk ka vonuar shumë reagimi i Serbisë pas anëtarësimit të plotë të Kosovës në Komitetin Olimpik Kombëtar. Në një deklaratë për mediat, Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, e quajti vendimin të papranueshëm dhe politik.Sipas shefit të diplomacisë serbe, vendimi i Komitetit Olimpik bie në kundërshtim me vetë shpirtin olimpik, pasi kjo Organizatë duhet të promovojë mirëkuptimin dhe miqësinë përmes sportit, ndërkohë që ka marrë rolin e një arbitri politik.Edhe Ministri serb i sporteve, Vanja Udoviçiç, tre herë fitues medaljesh në Olimpiadë në Vaterpol, e quajti vendimin të paprecedentë në botën e sportit.Megjithëse njohja nga KON-i vjen zakonisht pas njohjes së një vendi nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, kjo radhë veprimesh nuk është e detyrueshme të zbatohet.Ndërkohë, ish-ylli i NBA-së, Vlade Divac, i cili sot është President i Komitetit Olimpik të Serbisë, tha se nuk ishte habitur aspak nga vendimi."Jemi të pakënaqur me këtë vendim, por aspak të habitur, pasi Kosovës i ishte dhënë anëtarësimi i përkohshëm tre muaj më parë.Ne jemi organizatë sportive, jo politike, kështu që duhet të shohim përpara. Sigurisht që sportistët tanë do të garojnë kundër atyre të Kosovës, pasi duhet të jemi pjesë e shoqërisë".