Sequi u përgjigjet kritikave: Jemi këtu për zhvillimin e integrimin e Shqipërisë
Një Shqipëri sa më afër BE-së do të thotë një vend më i zhvilluar. Paksa ironik ambasadori i BE-së Ettore Sequi i është përgjgjur kritikave shqiptare ndaj qëndrimit të ndërkombëtarëve në Tiranë. Kjo deklaratë e kreut të prezencës së Bashkimit Europian u bë gjatë prezantimit të projektit për “kullimin dhe përdorimin e llumrave të ujërave në bujqësi".Ndërkohë që Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, kërkoi bashkëpunimin e vendorëve për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura.“Fuqizimi i institucioneve në zbatim të ligjit do të bëjë të mundur rritjen e fuqisë së ligjit në mjedis dhe parandalimin e dëmtimit të tij. Kjo natyrisht nuk arrihet vetëm nga një ministri por nga të gjithë së bashku dhe veçanërisht nga drejtuesit vendor të cilët kanë një rol të rëndësishëm dhe gjithnjë në rritje. Implementimi i projekvendimit kërkon domosdoshmërisht angazhimin e shumë institucioneve. Ajo që kërkohet tani lidhet me procesin e vlerësimit paraprak të cilësisë së këtyre llumrave dhe të shkallës dhe rrezikshmërisë së ndotjes që ata paraqesin në mjedis, tokë, ujëra dhe në shëndetin e njeriut” ka theksuar Mediu.Gjithashtu Ministri Mediu theksoi se janë zbatuar edhe një sërë projektesh të tjera të sistemit biologjik të pastrimit të ujërave të ndotura të financuara nga Banka Botërore dhe GEF, në kuadër të projektit për menaxhimin e integruar të zonës bregdetare.“Masat që po ndërmerren apo që janë në proces synojnë mbrojtjen e mjedisit por pse jo dhe të shëndetit të mjedisit të cilët janë të lidhur ngushte me njëri tjetrin. Unë jam optimist se do të përmbushim këto objektiva por njëkohësisht do të kërkoja nga të gjithë ju angazhimin qytetar dhe kontributin tuaj për të bërë një oponencë sa më konstruktive dhe frytdhënëse ndaj të gjithë atyre institucioneve që janë të ngarkuara me ligj për mbrotjen e mjedisit dhe veçanërisht mbrotjen e cilësisë së ujërave nga shkarkimet e ujërave të ndotura” shtoi Mediu.Projekti pritet që të ketë një impakt pozitiv në bujqësi, pasi synon që të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e njerëzve.