Arvizu: Mbikëqyrje parlamentare institucioneve të ushtarisë dhe sigurisë

Megjithëse zyrtarisht ishtë njoftuar një bisedë për trajnimin e anëtareve të Komisionit të sigurisë në qendrën Marshall të Gjermanisë, në fokus të bisedës së Ambasadorit amerikan me anëtarët e këtij Komisioni ka qenë mbikëqyrja parlamentare e institucioneve ushtarake dhe të sigurisë.Pas një takimi, i cili ka zgjatur më shumë se një orë me dyer të mbyllura për mediat, Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu tha se biseda u ndal në mënyrë të veçantë për këtë çështje që ka hapur herë pas herë debate politike në parlamentin shqiptar, por edhe nga faktori ndërkombëtar.“Fokusi i takimit ka qenë roli i mbikëqyrjes parlamentare mbi çështjet ushtarake dhe të sigurisë së vendit. Folëm për parimet bazë meqë si SHBA dhe Shqipëria janë anëtarë të NATO-s, dhe në shumë parime që diskutuam ishin tre më të rëndësishme: E para, çdo anëtar i NATO-s duhet të ndërmarrë angazhim që të ketë një sistem demokratik funksional në bazë të demokracisë së tregut; 2. angazhimi për marrëdhënie të mira me fqinjët dhe i treti, mbikëqyrja civile mbi aktivitetet ushtarake dhe çështjet e sigurisë kombëtare”- tha Ambasadori.Duke iu referuar ligjit për mbikëqyrjen parlamentare të insititucioneve të sigurisë kryetari, Leonard Demi, bëri të ditur se Komisioni do ta marrë në shqyrtim këtë ligj javën që vjen. Nndërsa nënkryetari Ilir Gjoni tha se në takim është theksuar domosdoshmëria e mbikëqyrjes së elementëve të sigurisë nga ky Komision.Vizita e një Ambasadori në mbledhjen e një Komisioni parlamentar është e rrallë, ndërsa nga Kuvendi i Shqipërisë iu rezervua një pritje e veçantë. Diplomati amerikan mbërriti në selinë e kryesisë së Kuvendit fiks në orën 11:00, siç ishte njoftuar ndërsa ka kaluar nëpër tapetin e kuq të shtruar në hyrjen kryesore të Kuvendit.