Manchester United mund Everton dhe titulli është më pranë
Mançester Junajtid, tashmë mund të thuhet me plot gojën se ka vënë një dorë në titullin e 20-të Kampion në Angli, pasi ka krijuar një distancë mëse të ndjeshme prej 12 pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Mançester Sitit, kur mbeten edhe 12 javë deri në përfundim të kampionatit, pas suksesit 2-0 ndaj Everton. Skuadra e drejtuar nga Aleks Ferguson, ka zgjidhur gjithçka në pjesën e parë të takimit, ku fillimisht Rajan Gigs, gjen golin e avantazhit për djajtë.Ndërsa më pas, është i zakonshmi Robin Van Persi, që ka shënuar golin e dytë në fund të pjesës së parë. Ky ishte goli i 19-ë në kampionat për këtë sezon, duke mbyllur praktikisht ndeshjen kundër Everton që në pjesën e parë. Me këtë fitore të Manchester United, Roberto Mancini dhe Manchester City i tij, që sot mund të përshëndeten me ëndrrën e të qenit Kampion në Angli për herë të dytë radhazi.Qytetarët britanikë, shënuan një tjetër rezultat negativ në këtë fundjavë, pasi u mundën nga skuadra e Sauthampton me rezultatin 3 -1. Golat e Punçon, Davis dhe një autogol i Barryt, mundësuan fitoren e Sauthampoton. Dzeko realizoi golin e vetëm dhe të nderit për skuadrën e Sitit. Kjo humbje e radhës dhe largimi nga ëndrra për titullin kampion, ka hapur shumë debate mbi të ardhmen e teknikut Mançini, në radhët e skuadrës së Qytetarve. Tekniku Italian, tashmë flitet se do ti japë lamtumirën skuadrës së Sitit, pasi ky vit futbollistik mund të quhet i dështuar për ish trajnerin e Interit. Kujtojmë se Mancini ka rikthyer Sitin te titulli kampion pas shumë vitesh, ndërsa ky vit mund të quhet një dështim i plotë, pasi nuk kaloi fazën e grupeve në Chempions Ligë, ndërsa për titullin kampion duket i dorëzuar.