Portugezi Mourinho, Manchester United - Real Madrid ndeshja e shekullit
Joze Murinjo, ka përshkruar si "ndeshjen që po e pret e gjithë bota", atë mes Real Madrid dhe Mançester Junajtid, skuadra që do të vihen përballë njëra-tjetrës në Ligën e Kampioneve të Mërkurën.Trajneri i madrilenëve ishte në "Old Traford", për të parë rivalët në ndeshjen e të Dielës, ndërsa nuk ka ngurruar të japë një koment për "Mediat britanike" rreth kësaj sfide që ai e cilëson si më e madhja e Ligës së Kampioneve, ndonëse kjo fazë e turneut sjellë të tjera përplasje të mëdha si Milan-Barcelona apo Bajern Mynih-Arsenal."Kjo është ndeshja që e gjithë bota po pret, dhe shpresojë që t'i japim atë spektakël që të gjithë po presin me padurim".Murinjo dhe Ferguson janë miq të mirë, gjë të cilën e kanë pranuar publikisht, portugezi madje thuhet se kjo është një arsye më shumë pse kjo sfidë është shumë e veçantë."Ndjehem i privilegjuar rreth një gjëje të tillë, pasi ai është një person kaq i veçantë në botën e futbollit. Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie fantastike me të dhe jam krenar për një gjë të tillë. Kemi zhvilluar kaq shumë ndeshje kundër njëri-tjetrit, të cilat filluan që kur unë isha te Porto. Kemi pasur disa me Çelsin, Interin dhe tani me Realin. Te të gjithë klubet e mia, unë jam ndeshur me Mançester Junajtid dhe Sër Aleks"."Sigurisht, unë dua të fitoj dhe ai dëshiron të fitojë. Por besoj se humbësi do të ketë përsëri pak hapësirë për të qenë pak i lumtur për shkak të miqësisë që kemi. Por e përsëris që të dy duam të fitojmë këtë sfidë", shpjegoi portugezi.