Migjen Basha pritet të vishet kuqezi para sfidës me Norvegjinë
Mesfushori kosovar i Torinos, Migjen Basha, shumë shpejtë mund të bëhet pjesë e Kombëtares Shqiptare. Lajmin e ka bërë të ditur vetë lojtari i cili ka deklaruar për mediat se pas dy vitesh pritje, ka mundësira të mëdha që brenda pak javësh të bëhet pjesë e ekipit kuqezi.Që në kohën kur kombëtarja drejtohej nga kroati Kuzhe, mesfushori i Torinos ishte i gatshëm që t'i bashkohej Shqipërisë, por FIFA ia kishte ndaluar këtë gjë, pasi ai kishte luajtur më parë me Shpresat e Zvicrës.Ndërsa tani me iniciativën e teknikut italian Gianni De Biasi, Basha mund ta realizojë ëndrrën e tij. Trajneri dhe Federata Shqiptare e Futbollit, gjatë këtyre ditëve do të tentojnë sërish ta bindin FIFA-n që 25-vjeçari ka të drejtë të luajë me ekipin kuqezi."Pas ndeshjes me Gjeorgjinë, trajneri De Biasi më telefonoi dhe më kërkoi që ta angazhoja sërish avokatin tim që t'i drejtohet FIFA-s për rastin tim specifik", ka thënë Basha për gazetën kosovare "Express". Trajneri më tha që t'i drejtohemi sa më shpejt FIFA-s, në mënyrë që të jem i gatshëm për ndeshjen eliminatore kundër Norvegjisë e cila luhet në Mars", ka theksuar Basha.Pas këtij kontakti mes trajnerit De Biazi dhe vetë mesfushorit, duket se Basha do të bashkohet me kombëtaren Shqiptare para ndeshjes me Norvegjinë. Për të arritur këtë gjë është vënë në lëvizje edhe Federata Shqiptare e futbollit e cila pritet të dërgojë në FIFA dokumentacionin që Basha të ketë mundësi të luaj me kombëtaren kuq e zi.