Basha homazhe pranë shtatores së Ismail Qemalit: Vepra e tij, frymëzim

Ashtu siç e ka kthyer tashmë në traditë kryebashkiaku Lulzim Basha ka kryer homazhe në nderim të atit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali, në të njëjtën orë në të cilën ai sëbashku me elitën e mendjes, shpirtit dhe kurajës së shqiptarëve mishëruan aktin e pavdekshëm të shpalljes së Shqipërisë të lirë dhe të mosvarme.Basha ka theksuar se vepra e Ismail Bej Vlorës është frymëzim dhe kurajo për çdo shqiptar, për të vijuar rrugëtimin drejt ribashkimit politik me Europën.“Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Tirana e bëri realitet praninë e përhershme e të përjetshme të Ismail Qemalit, shpallësit të pavarësisë.Është sot nderi im, në emër të kryeqytetit që sëbashku me qindra qytetarë të Tiranës, në orën që përkon me orën e shpalljes së Pavarësisë 102 vjet më parë, të përkulemi sërish, ashtu si vjet, ashtu si në 100 vjetorin e Pavarësisë, para atit të Pavarësisë, Ismail Bej Vlorës.I paharruar qoftë kujtimi i tij dhe i patriotëve të tjerë që ngritën lart flamurin e Skënderbeut.Lavdi përjetë Ismail Bej Vlorës !”- u shpreh Basha.