Obama anashkalon republikanët, reformë gjigante për emigracionin
"Të dashur amerikanët e mi, ne jemi dhe do të jemi gjithmonë një komb emigrantësh. Edhe ne kemi qenë dikur të huaj këtu!"Me këto fjalë, Presidenti amerikan, Barak Obama, nisi të enjten fjalimin e tij para popullit amerikan për të shpallur platformën e legalizimit të emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Rreth 11 milionë emigrantë pa dokumenta të rregullta jetojnë në total në SHBA, por pas urdhrit ekzekutiv të Obamës, rreth 4.4 milionë prej tyre do të përfitojnë automatikisht leje të rregullt qëndrimi pasi fëmijët e tyre kanë lindur në SHBA dhe janë shtetas amerikanë.Reforma e re do të përfshijë edhe programin e nisur nga Obama në vitin 2012 për mbrojtjen nga dëbimi i minorenëve të sjellë ilegalisht në SHBA nga prindërit e tyre kur kanë qenë fëmijë të vegjël.Pas urdhrit ekzekutiv të Obamës, këta persona përfitojnë të drejtën për të aplikuar për vende pune dhe t'i bashkohen shoqërisë amerikane, por gjithsesi nuk kanë të drejtën e votës apo përfitimit të sigurimeve shëndetësore.Sipas statistikave, rreth 70% e emigrantëve të paligjshëm vijnë nga vendet e Amerikës Qendrore. Ata hyjnë në "tokën e premtuar" përmes kufirit me Meksikën, që është rreth 3 000 kilometra i gjatë, shpesh duke hasur vështirësi nga terreni dhe klima e thatë.Shumë humbin dhe jetën, ndërsa të tjerë arrestohen nga policia kufitare dhe kthehen mbrapsht.Reforma e vendos Obamën kundër Kongresit të dominuar nga republikanët, të cilët kishin bllokuar më parë një ligj të ngjashëm për emigracionin.Reagimi i tyre ishte i menjëhershëm, duke e akuzuar Presidentin se ka tejkaluar kompetencat kushtetuese, duke iu referuar deklaratës së vetë Obamës një vit më parë se nuk mund të vepronte i vetëm në këtë çështje.Megjithatë, për Obamën këto ndryshime të përshkruara nga zyrtarë të administratës si më të rëndësishmet në politikën e emigracionit që prej Presidencës së Ronald Reganit në vitet '80-të- janë pragmatiste dhe të ndershme.