Kurti: PDK-LDK bënë pazar me dosjet, ti largojmë nga pushteti
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur Isa Mustafën kolaboracionist dhe ka shprehur shqetësimin se bashkimi mes Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është bërë për të forcuar Shërbimin Informativ të Kosovës.Në konferencën për shtyp të dhënë në mesditë, Kurti shtoi se ambiciet e liderëve të partive tjera e dështuan punën disa mujore të Bllokut."Mbrëmë nuk ka pasur marrëveshje, por pazar me dosje. Për pesë muaj kemi dëshmuar që PDK-ja është pakica që e ka kapur shtetin. Ditëve të fundit ambiciet e pakontrolluar e dështuan punën pesë muajshe", u shpreh Kurti.Lideri i Vetëvendosjes u bëri thirrje partive tjera politike për të bërë gjithçka në Kuvend dhe me rrugë për të larguar këtë qeveri nga pushteti."Marrëveshja e mbrëmshme i ka inkurajuar strukturat e krimit. Ju bëjmë thirrje forcave që duan të mirën e këtij vendi të bashkohemi e ta largojmë këtë regjim në Kuvend e jashtë Kuvendit".Për mediat ka folur edhe Ramush Haradinajt, pas komenteve të parë në mëngjes përmes Facebook-ut. Për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, vendi po shkon drejt një qeverisjeje edhe më të keqe se sa katër vitet e fundit."Mua më dhimbset vendi që po shkon drejt një qeverisjeje edhe më të keqe", ka thënë Haradinaj, duke shtuar se situata mund të ndryshohet."Ky është një moment i rëndë, i cili mund të ndërrohet. Ne mund ta arrijmë këtë", ka thënë Haradinaj, në konferencën e sotme për media.Haradinaj gjithashtu siguroi se faktori ndërkombëtar nuk ka ndikuar në lidhjen e koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së, duke hedhur poshtë aludimet e lindura pas pranisë së Ambasadores amerikane në takimin e mbrëmshëm mes palëve.Haradinaj gjithashtu ka shtuar se është më mirë që prishja e Bllokut ndodhi në këtë cast, sesa pasi të formoheshin institucionet.