Haradinaj: PDK-LDK, fatkeqësi për vendin!
Prej shumë javësh e kishte parë veten si Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, por të mërkurën në mbrëmje, pas marrëveshjes PDK-LDK, Ramush Haradinaj e pa veten dhe partinë e tij, sërish në opozitë.Siç është bërë zakon, jo vetëm në Kosovë, nëpërmjet një statusi në Facebook, Haradinaj e ka quajtur fatkeqësi për vendin një qeveri të dalë nga marrëveshja mes Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, duke kujtuar se një qeverisje e tillë pati dështuar më parë, në periudhën 2008-2010."Përzierja e dy shkollave të dështuara qeverisëse do të shkaktojë regres të vazhdueshëm në Kosovë. Të dyja shkollat e tyre të qeverisjes, në Kosovë dhe në Prishtinë janë dëshmuar si të dështuara", shkruan Haradinaj, duke kujtuar kohën kur Mustafa ishte kryetar i komunës së Prishtinës.Sipas Haradinajt, është çështje kohe që të dy të dështojnë sërish.Duke folur tashmë si opozitar, Hardinaj ka premtuar se do të bëjë gjithçka për të kërkuar përmbushjen e premtimeve parazgjedhore, si hapja e 320 000 vendeve pune, luftimin e korrupsionit dhe përparimin në rrugën drejt integrimit europian të Kosovës.Edhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, i cili është një prej figurave kryesore të Nismës për Kosovën, ndihet i tradhëtuar nga Mustafa dhe vendimi i tij për t'u bashkuar me Thaçin.