3000 të rinj i bashkohen PD, Berisha nga Durrësi premton punësim për të rinjtë
Me një ftesë drejtuar të gjithë sipërmarrësve vendas dhe të huaj për të derdhur investimet në Shqipëri për punësimin e sa më shumë të rinjve, Kryeministri Berisha ka siguruar të rinjtë durrsakë se qeveria e tij do të bëjë cdo gjë në këtë drejtim.“Sot është një ditë historike për Forumin Demokrat. Ju sot anëtarësoheni në forcën politike, në forcën kryesore të ndryshimit të Shqipërisë. 22-vjet më parë të rejat dhe të rinjtë themeluan Partinë Demokratike, në 22 vite ata kanë qenë përcaktues të fitoreve të kësaj force politike. Është energjia juaj, mendja juaj e hapur që bëri që Shqipëria të ndryshojë më shumë se cdo vend tjetër në një hark të tillë kohor. Ishit ju që në një kohë të shkurtër bëtë që Shqipëria nga vendi me varfëri ekstreme, të renditet sot në vendet me të ardhura të mesme. Jeni ju mosha dixhitale biologjike. Qeveria do të bëjë gjithcka për punësimin tuaj, qeveria vendos së shpejti që të përballojë shpenzimet, kontributet sociale, sigurimet shoqërore për cdo njërin prej jush.Ftoj të gjithë sipërmarrësit nga mbarë bota por dhe vendi të punësojnë të rinjtë shqiptarë dhe të njihen me aftësinë dhe kualifikimin e tyre” deklaroi Berisha.Duke i vlerësuar të rinjtë si arkitekt të fitoreve të cdo fushate elektorale të PD-së, Berisha ftoi të rinjtë demokratë që të trokasin në derën dhe zemrën e cdo qytetari për të fituar cdo votë në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.“Çdo fushatë elektorale e fituara nga PD ka pasur si arkitektë ju dhe vetëm ju ndaj dhe duke filluar nga nesër sëbashku le të trokasim ne në cdo dere dhe zemër, të fitojmë cdo votë, të kthejmë 22 marsin e vitit 1992 për një fitore të sigurtë drejt ndryshimit dhe zhvillimit të Shqipërisë, drejt të ardhmes europiane” shtoi më tej Berisha.Duke e përforcuar rëndësinë e votimit në 23 qershor, lideri i selisë blu theksoi se në këtë ditë votohet për veten dhe vendin tonë, për shembjen e murit të bllokimit të kreut të PS-së, Edi Rama.“Po shkojmë drejt fushatës elektorale, 23 qershori ëhstë festa e madhe e lirive tona, votës së lirë, fitores së thellë, ndryshimit të madh, e Shqipërisë europiane. Me 23 qershor votojmë për veten tonë, për katër vitet e ardhshme, votojmë për Durrësin, Shqipërinë europiane. Me 23 qershor shembim murin e bllokimit dhe do lëmë Edi Ramën me testamentin e etërve të tij, do ecim drejt Europës pa na ndalur askush tjetër” deklaroi lideri i PD, Sali Berisha.Në aktivitetitin e mbajtur në Pallatin e Sporteve 3 mije te rinj iu bashkuan Partise Demokratike ne Durres, ku 3 prej tyre në mënyrë simbolike i morën kartat e anëtarësimit nga Kryeministri Berisha.