Java e shëndetësisë, Rama shkon në një vizitë në Spitalin Ushtarak
Në kuadër të javës së shendetësisë, kryesocialisti Edi Rama ka vizituar Spitalin Ushtarak në Tiranë, i cili aktualisht ndodhet mes shtetit dhe privatit.Rama është takuar me drejtuesit, mjekët dhe infermierët e këtij spitali, prej të cilëve është njohur me gjendjen në të cilën ata kryejnë shërbimet ndaj qytetarëve dhe kanë shprehur shqetësimin për mungesën e bazës materiale.Kryesocialisti, Edi Rama, ka premtuar se pas 23 qershorit, Spitali Ushtarak do të rimerret në kontroll të plote.Sipas tij, strategjia e PS-së do të jetë zbatimi i planeve dhe masterplaneve, të cilat jo se mungojnë, por nuk vihen në zbatim me qëllim për ta lënë situatën të përshtatshme për abuzime dhe korrupsion në sektorin e shëndetësisë.“Do të vazhdohet me zbatimin e planeve dhe masterplaneve, të cilat jo se mungojnë, por nuk vihen në zbatim me qëllim, për ta lënë situatën të përshtatshme për abuzime dhe korrupsion. Shëndetësia është sektori ku ndryshimi do të jetë radikal, pasi asgjë nuk mund të vazhdojë kështu si është. E dyta është që ne po humbasim një kapital njerëzor që është vënë me shumë mund në vite dhe që ka kushtuar jashtëzakonisht shumë në këto vite për specialistë, për një gjeneratë tjetër. Ne e vumë në program kthimin e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” në universitet mjekësor me idenë që nga një anë të rritet niveli i shërbimeve dhe nga ana tjetër të rritet kapitali njerëzor. Arsyeja pse edhe në programin tonë, pjesa e shëndetësisë është pjesa më radikale, është sepse këtu realisht duhet përmbysur komplet. Duhet ndryshuar komplet sistemi i financimit. Duhet ngritur shërbimi kombëtar shëndetësor domethënë shteti ta blejë shërbimin. Ta blejë shteti, jo ta blejë qytetari. Dhe shteti ta ofrojë nëpërmjet shërbimit kombëtar shëndetësor në mënyrë të ndershme dhe të drejtë. I duhet dhënë autonomi trupës mjekësore. Trupa mjekësore duhet të jetë me një autonomi të konsiderueshme dhe spitalet duhet të jenë ndërmarrje spitalore. Dhe buxheti nuk mundet dot të përcaktohet në ministri. Buxheti përcaktohet me prioritetet, hapat, shpenzimet përcaktohen me borde të spitalit”, ka shpjeguar kryetari i Partisë Socialiste, kështu,disa nga hapat që do të ndiqen pas 23 qershorit për të ndryshuar rrënjësisht situatën.Rama theksoi se me ardhja e PS në qeveri do të thotë dhënie e shërbimit shëndetësor falas për këdo, pavarësisht nëse është i punësuar apo jo.