Rama: Deklarata e gjykatës apel për çdo shqiptar, të grushtojmë me votë pushtetin e kalbur
Lideri i selisë rozë, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratës së gjykatës së Tiranës lidhur me qëndrimin e Ambasadës amerikane përkundrejt verdiktit të dhënë nga kjo gjykatë për cështjen e 21 janarit. Në rrjetin social twitter Kryesocialisti Rama shprehet se deklarata e sotme e gjykates është nje apel per cdo shqiptar.“Kush do clirimin e drejtesise ta grushtoje me vote ne 23 qershor pushtetin e kalbur” thekson ai.Trupa gjyqësore e cila dha vendimin për shpalljen të pafajshëm të dy gardistëve të akuzuar për ngjarjet e 21 Janarit i ka cilësuar reagimet e djeshme të ambasadës së SHBA-së në Tiranë si ndërhyrje në një proces të drejtë, ligjor e të paanshëm.Në një deklaratë për shtyp, tre gjyqtarët e çështes së 21 Janarit, Besnik Hoxha, Ardiana Beraj dhe Arjana Gumbardhi i cilësojnë si paragjykuese deklaratat e ambasadës amerikane pasi sipas tyre vendimi nuk është zbardhur ende.Nga ana tjetër vetë Ambasadori i SHBA-së Aleksandër Arvizu i cilësoi si të pabaza akuzat e trupës gjyqtare të çështjes së 21 Janarit për ndërhyrje në proces.Në një prononcim për mediat pas takimit me kryeprokurorin Adriatik Llalla ambasadori Arvizu është shprehur se procesi i 21 Janarit është një çështje shqiptare dhe SHBA-ja ka ofruar asistencë teknike për hetimet pas kërkesës së prokurorisë.Ambasadori Arvizu është shprehur më tej se SHBA-ja i përmbahet qëndrimit të saj se mënyra më e mirë për të zbardhur ngjarjen është hetimi i shkaktarëve të saj.