Tritoli në zyrat e OSHEE, Gjiknuri: Nuk ka terrorizëm që na ndalon
Duke e konsideruar një akt terrorist vënien e tritolit në zyrat e OSHEE në Fushë-Krujë, Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se beteja kundër vjedhjes së energjisë do të vazhdojë. “Nuk ka terrorizëm që na frenon në betejën me antiligjin”, tha Ministri.“Një gjë dua të them, ky akt terrorist është konfirmimi i suksesit të fushatës sonë. Ne do të vazhdojmë, nuk ka terrorizëm që do të frenojë betejën e ligjit me antiligjin, nuk ka terrorizëm që të frenojë shumicën e qytetarëve të ndershëm që respektojnë ligjin, të cilët e mbështesin masivisht këtë veprimtari të policisë dhe të Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike ndaj abuzuesve, vjedhësve apo inspiruesve të tyre politikë”.Edhe Administratori i OSHEE-së, Arben Seferaj dha mesazhin se aksioni nuk ndalet ndërsa autorët do të ndëshkohen"Sot jam këtu prezent me Ministrin, për të dhënë një mesazh të qartë, të gjithë ata persona që kanë bërë këtë gjë dhe për ata që mund të kenë shpresë se puna e filluar nga Operatori i Shpërndarjes do të ndalet, ne së bashku me Policinë e Shtetit do të jemi në këtë operacion, deri në momentin e fundit. Nuk do ta ndalemi".Mbrëmjen e së mërkurës, një sasi tritoli iu vendos qendrës së Kujdesit ndaj Klientit në Fushë-Krujë duke shkaktuar dëme materiale.Ngjarja erdhi si një reagim ndaj ndërprerjes së energjisë ndaj debitorëve dhe atyre që e siguronin në mënyrë të paligjshme.