Sheshel: Vuçiç ulërin kot, edhe BE mendon si Rama për Kosovën
Edhe pse ka vetëm një ditë në Serbi, pasi u rikthye nga Haga ku po mbahej i burgosur për krime lufte, ultranacionalisti serb, Vojisllav Sheshelj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Aleksandër Vuçiç.Sipas Shesheljit, Vuçiç është mjeshtër i manipulimit të opinionit publik dhe kjo mund ta çojë Serbinë në shkatërrim. Ai shtoi se Haga i ka bërë nder Kryeministrit, duke e lënë të kthehet në Serbi vetëm pasi të kishte mbaruar vizita e Ramës, pasi në të kundërt ai mund t'i kishte shkaktuar probleme."Haga i bëri një lëshim Vuçiçit dhe e shtyu lirimin tim deri pas vizitës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ai po ulërin më kot tani për deklaratat e Ramës, kur për pavarësinë e Kosovës flasin të gjithë udhëheqësit e BE-së dhe jo vetëm Rama", u shpreh radikali serb.Sheshelj, i cili akuzohet për krime të kryera gjatë luftës në Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë, është liruar ditë më parë nga Tribunali i Hagës për arsye shëndetësore.I pyetur për gjendjen e tij shëndetësore, Sheshelj tha se ka dy metastaza: Vuçiç dhe Nikoliç, të cilat do t'i kurojë!Ai kritikoi ashpër afrimin e Serbisë me Europën dhe i këshilloi udhëheqësve që të shohin nga Rusia dhe të bashkëpunojnë më tepër me vende si Bjellorusia dhe Kazakistani."Bashkimi me BE-në do të ishte fatkeqësi për Serbinë, nuk ka vend për ne aty", shtoi Sheshelj në konferencë për shtyp.Lideri radikal theksoi se ideja e "Serbisë së Madhe", ekziston në statutin e partisë, duke shtuar se pa këtë radikalët nuk janë asgjë në skenën politike.