Bimët mjekësore, paketa fiskale nuk parashikon rimbursim të TVSH
Industria e bimëve mjekësore- aromatike, ka mbetur jashtë reformës fiskale në sektorin e bujqësisë, duke iu mohuar rimbursimi i TVSH-së edhe pse paraprakisht është pyetur për masat e nevojshme që duheshin marrë.“Industria e bimëve medicionale realisht është pyetur për të gjitha këto, por është dëgjuar shumë pak dhe në shumë gjëra ka mbetur jashtë kësaj pakete fiskale. Ka mbetur në rimbursimin e TVSH-së, mbështetjen e fermerëve direkte për TVSH-në siç bëhet për perimet” tha Xhevit Hysenaj, Presidenti i Shoqatës EPCA.Pavarësisht problemeve që has kjo industri, vlera e eksporteve ka ardhur në rritje, e momentalisht arrin vlerën e 30 milion eurove.“Në vitin ’88 eksportet e bimëve aromatike shqiptare kanë qenë 72 milion dollarë, në ’93-’97 kanë zbritur në 8 milion dollarë, një zbritje drastike me 10 herë. Sot arrijmë të eksportojmë rreth 30 milion euro, kemi arritur standarde dhe kemi markën tonë Made in Albania”shtoi me tej Hysenaj.Zv. Ministri i Bujqësisë, Jani Bobi, falenderoi Drejtorin e Misionit të USAID në Shqipëri si partnerin kryesor në rritjen e gamës dhe cilësisë së bimëve.“ Në radhë të parë falenderoj USAID-in për mbështetjen e kësaj industrie të bimëve medicionale , që ndihmon në zhvillimin e zonave rurale”.Bima medicinale që kap shifrën më të lartë në eksporte është ajo e Sherebelës, ku vendi ynë është furnizuesi kryesor i tregut amerikan qe kap shifrën 65 % dhe rreth 15% rieksportohet nga Gjermania dhe Turqia në tregje të tjera.