Edhe Meta futet në Facebook: Ja pse zgjodhëm koalicionin me PD në 2009

Lideri i LSI-së, Ilir Meta për herë të parë ka preferuar t'i përgjigjet në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve të qytetarëve të bëra në rrjetin social "Facebook". Në këtë bashkëbisedim Meta ka sqaruar edhe arsyet se pse LSI bëri koalicion në vitin 2009 me PD."Me këtë rast unë dua të falënderoj dhjetëra të rinj, të cilët kanë shprehur për një pyetje e cila më bëhet vazhdimisht edhe në takimet që kam këtu brenda vendit. Atëherë mund t'ju them se Lëvizja Socialiste për Integrim është një forcë politike që i qëndron marrëveshjeve. Këtë e ka bërë edhe me Partinë Socialiste përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2007, pavarësisht se ishte ajo që nuk i qëndroi marrëveshjes pas rizgjedhjes së kryetarit të saj si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Dhe këtë gjë e ka bërë njëkohësisht në mënyrë tepër të qëndrueshme edhe me Partinë Demokratike pas koalicionit që imponoi vota dhe rezultati i qershorit të vitit 2009"tha ai.Kështu pas politikanëve të tjerë edhe kreu i LSI, Ilir Meta ka nisur të bashkëbisedojë me miqtë e tij në rrjetin social facebook.“Të nderuar miq është kënaqësi e veçantë për mua që të komunikoj drejtpërdrejtë me ju nëpërmjet medias sociale të “Facebook”. Dua të shpreh kënaqësinë time për qindra pyetje që më janë drejtuar" u shpreh Meta.