Sulmi në veri të Kosovës, pranga autorit serb
Policia në veri të Mitrovicës ka arrestuar një person me etni serbe në lidhje me sulmin me granatë dore të së hënës ku mbetën të plagosur dy fëmijë serbë.Sipas raportimeve të “Kosovapress”, që citon zëdhënësin e policisë Besim Hoti, personi i arrestuar është identifikuar si Serdjan Stojanoviç, banor në të njëjtën godinë ku jetojnë edhe dy të miturit e plagosur.Sipas burimit, forcat e policisë kanë kontrolluar shtëpinë e të dyshuarit, pasi kishin mbledhur informacione se familja e tij nuk kishte marrëdhënie të mira me fqinjët.Për rrjedhojë, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një granatë dore, prodhim jugosllav, dy karikatorë arme automatike dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 milimetër.Zëdhënësi shtoi se kontrolle janë kryer edhe në banesën e familjes së sulmuar, ku janë gjetur një automatik i tipit kallashnikov, dy karikatorë dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh.Ngjarja e së hënës, që rezultoi me plagosjen e dy fëmijëve serbë, çoi në aludime se sulmi ndaj tyre mund të kishte qenë me motive etnike nga autorë shqiptarë. Por pas hetimeve të policisë, gjërat rezultuan ndryshe.