Rreziku nga terrorizmi, Kodheli deklaron luftën për të garantuar siguri
Shteti Islamik është një rrezik real për Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor.Kështu ka deklaruar Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku tha se qeveria shqiptare po punon për të patur nën kontroll sigurinë e qytetarëve , kjo në bashkëpunim dhe me aletatët.“Shqipëria është një vend i NATO-s, dhe të gjithë kufijtë e NATO-s janë të rrezikuar. Ballkani Perëndimor fatkeqësisht është një vend që ka prodhuar ushtarë që shkojnë për të luftuar pa ditur se për kë po e bëjnë. Nuk mund të bëhet diçka e tillë në emër të religjionit apo fesë, nuk mund të ketë masakra për qëllime të tilla.Shqipëria po punon çdo ditë për ta pasur në kontroll sigurinë e qytetarëve tanë. Do bashkëpunojmë me aleatët apo partnerët në NATO që kostot e përgjegjësisë ndaj kësaj organizate të jenë sa më të vogla. Kur flas për kosto e kam për jetë njerëzish, dhe kjo organizatë terroriste përbën rrezik për vendet e NATO dhe Shqipërinë” tha Kodheli.Kodheli tha se ishte Shqipëria ajo që u rreshtua dhe hapi luftën ndaj Shtetit Islamik,duke dhënë një kontribut të madh për Irakun me armatime dhe municione.“Në fakt Shqipëria hapi rrugën. Ajo çka sekretari Hagel tha dje është për tu vlerësuar, që edhe një vend i vogël si Shqipëria mund të jetë model. Nuk dihej akoma se si do të veprohej në një kohë që masakra ndaj popullsisë kurde sapo kishte filluar, dhe bëri të nevojshme këtë bashkëpunim të ngushtë.Shqipëria u përgjigj menjëherë dhe në kohë rekord dhe të plotësojë 70-80% të nevojave të popullsisë kurde. Aletatët e tjerë të NATO suportuan Shqipërinë në transportimin e armatimeve,” u shpreh Ministrja Kodheli.Modernizimin e Forcave të Armatosura për ta përafruar me ato të aleatëve, Kodheli e renditi në krye të prioriteteve të qeverisë shqiptare.