Erdogan kritikon mbështetjen ndërkombëtare për Kobanin
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka deklaruar nga Franca se koalicioni ndërkombëtar që po lufton kundër Shtetit Islamik është fokusuar së tepërmi në qytetin e Kobanit dhe duhet të kthejë vëmendjen edhe në zona të tjera.Në një konferencë për shtyp në Paris pas takimit me homologun e tij François Hollande, Erdogan tha se në qytetin kufitar kanë mbetur 2 mijë persona gjithsej, pasi pjesa tjetër janë larguar nga vendi si pasojë e luftës."Pse Kobani? Pse jo qytete të tjera si Ibib, Hama apo Homs? Pse jo territore dhe zona të Irakut, 40 për qind e të cilave janë nën pushtimin e ektremistëve. Pse nuk është parashikuar një ndërhyrje në këto krahina dhe pse ka kaq shumë fokus në Kobani?”Presidenti turk tha se është e vështirë të kuptohet kjo qasje dhe gjithashtu është akoma më e vështirë të kuptohet se pse koalicioni nuk po mbron zona të tjera.Ndërkaq edhe Presidenti francez Hollande mbështeti komentet e Erdogan, duke u shprehur se Franca po merr hapa të rëndësishëm për të mbështetur ushtrinë e lirë siriane dhe opozitën demokratike në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik.Por vizita e Presidentit të Turqisë nuk është pritur mirë nga komuniteti kurd në Paris, të cilët kanë protestuar kundër rolit të Turqisë në luftën në Kobani.Ata thanë se refuzimi i Turqisë për të ndërhyrë në Kobani, është politikë shtypëse e Turqisë ndaj kurdëve.