Presidenti në Slloveni, çel takimin e bizneseve shqiptaro - sllovene
Nga OraNews Përditësimi i fundit 28 Tetor 2014, 07:57
Ljubljanë - Presidenti Bujar Nishani, që ndodhet në Slloveni për një vizitë zyrtare, është mirëpritur atje nga komuniteti shqiptar, i cili i ka rezervuar një takim të ngrohtë.Burimet zyrtare bënë të ditur se Nishani vlerësoi angazhimin e shqiptarëve të Sllovenisë për ruajtjen e identitetit kulturor, traditave dhe gjuhën amtare dhe se ai vjen në këtë vizitë për të sjellë angazhimin e Shqipërisë për të çuar përpara marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Sllovenisë me fokus të veçantë marrëdhëniet ekonomike, të arsimit, shkencës dhe kulturës, si dhe për të garantuar se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj konstruktiv në shërbim të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon.Kjo vizitë do të shërbejë gjithashtu edhe për të forcuar bashkëpunimin në kuadër të integrimit evropian e të realizimit të projekteve madhore rajonale si Korridori Adriatiko-Jonian dhe gazsjellësi TAP, duke e çmuar përvojën pozitive të Sllovenisë si një shembull nga i cili vendi ynë mund të përfitojë shumë.
Presidenti Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe delegacioni shqiptar, u nis dje drejt Ljubljanës për të zhvilluar një vizitë zyrtare me ftesë të Presidentit slloven, Borut Pahor, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, të ndjekur më pas nga bisedimet në krye të dy delegacioneve respektive, si dhe do të zhvillojë takime zyrtare me Kryeministrin slloven, Cerar dhe me Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë, Brglez.
Në kuadër të kësaj vizite të rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe ato rajonale, Presidenti Nishani do të marrë pjesë në hapjen e Konferencës së përbashkët të Biznesit Shqiptaro-Slloven si dhe do të mbajë një leksion të hapur në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Ljubljanës.
ar.sh/Oranews.tv