Turqia do ndërtojë xhaminë e Tiranës, mund të mbledhë 4500 besimtarë
Në një hark kohor 3-vjeçar falja e besimtarëve myslimanë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pritet të marrë fund.Turqia ka vendosur që të financojë ndërtimin e xhamisë së Tiranës, e cila do të jetë edhe më e madhja në Ballkan.Lajmi është bërë i ditur nga mediat turke. Sipas tyre ky vendim është marrë nga Drejtoria turke për Çështjet Fetare duke pasur parasysh numrin e vogël të xhamive që ndodhen aktualisht në kryeqytetin shqiptar.Xhamia e re e Tiranës do të ketë 4 minare dhe do të jetë në gjendje të mbajë brenda saj 4.500 besimtarë njëkohësisht.“Vetëm 60 njerëz mund të falen në të njejtën kohë në xhaminë e Ethem Beut edhe pse 70% e popullësisë së Tiranës është myslimane” ka thënë Ismail Palakoglu, kreu i fondacionit “Diyanet”. Palakoglu është shprehur se po planifikojnë të ndërtojnë xhaminë në hapësirë prej një hektarësh.Ai ka përmendur faktin se në festën e Bajramit besimtarët myslimanë falen në shesh pasi xhamia aktuale në Tiranë nuk ka hapësirë të mjaftueshme për ta.“Njerëzit falen në sheshin e Tiranës gjatë festave pasi xhamia e Ethem Beut nuk është e madhe sa duhet. Kjo është e vështirë gjatë kohëve me shi. Por në xhaminë e re, e cila do të ketë katër minare, 4.500 besimtarë do të jenë në gjendje të falen”, ka thënë Palakoglu.Palakoglu ka thënë gjithashtu se procedurat janë në proces e sipër, por ata planifikojnë që xhamia të përfundojë brenda 2-3 vitesh.