Bomba e "Europol": Krimi ka pushtuar futbollin
Një ndeshje e Ligës së Kampioneve të një skuadre angleze, është përfshirë në një hetim masiv rreth trukimit të ndeshjeve në futbollin evropian, të organizuar nga “Europol”.Policia Europiane ka zbuluar më shumë se 380 ndeshje të dyshimta në 15 vende të ndryshme, ku përfshihet edhe një ndeshje e Ligës së Kampioneve e luajtur në Angli në 3-4 vitet e fundit. Ndeshja specifike nuk është përmendur për arsye ligjore, por vetëm 6 skuadra angleze kanë luajtur në këtë turne gjatë kësaj periudhe: Mançester Junajtid, Arsenal, Liverpul, Totenhem, Mançester Siti dhe Çelsi.Ndeshje të tjera të rëndësishme të manipuluara nga organizata kriminale me bazë në Singapor, janë ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian, ashtu si dy ndeshje të tjera të Ligës së Kampioneve, ku mendohet se janë përfshirë të paktën 425 zyrtarë klubesh, lojtarë apo kriminelë, të cilët janë nën hetim.Shefi i Europolit, Rob Ueinrajt, tha se hetimi zbuloi "aktivitet të trukimit të ndeshjeve në një shtrirje që nuk është parë ndonjëherë më parë"."Kjo është një ditë e trishtueshme për futbollin evropian", tha ai. "Kjo është puna e një grupi kriminal të organizuar me bazë në Azi dhe që operon përkrah rrjeteve kriminale në Evropë".Ueinrajt bëri të ditur se hetimi kishte zbuluar fitime që kapin shifrën e 7 miliard paund fitime dhe rreth 1.7 milion paund ryshfet për lojtarë dhe zyrtarë, ndërsa shumë prej tyre janë zyrtarisht nën hetim."Është e qartë për ne se ky është hetimi më i madh i zhvilluar ndonjëherë rreth hetimeve për manipulimin e ndeshjeve në Evropë. ka dhënë rezultatet madhore nëpërmjet të cilave ne mendojmë se kemi zbuluar një problem të madh për integritetin e futbollit në Evropë. Ne kemi zbuluar një rrjet të zgjeruar kriminal.Kjo është hera e parë që ne kemi siguruar prova të mjaftueshme se krimi i organizuar po vepron në botën e futbollit", tha Ueinrajt.