Dëmtim “Horror” i mesfushorit të kombëtares, Burim Kukeli
Një përplasje dhe më pas një dëmtim i denjë për filmat horror. Kjo i ka ndodhur fatkeqësisht dje në fushën e lojës mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Burim Kukeli. Futbollisti ka thyer këmbën gjatë një miqësoreje që skuadra e tij Zyrih po luante ndaj Belizonas.Deçiziv për këtë dëmtim të rëndë ishte minuta e 72-të, ku Kukeli është përplasur me Simon Grether."Këmba e Kukelit shihej qartazi me sy të lirë që gati u shkëput nga pjesa tjetër dhe shkoi totalisht në kahun e kundërt. Lojtari u përplas në tokë, ndërsa kolegët, stafet teknike të të dyja skuadrave, si dhe mbi 400 tifozë që gjendeshin në stadium mbetën të shokuar. Arbitri ndaloi menjëherë lojën dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve u thirr me urgjencë ambulanca. Pas rreth 5 minutash në fushë, Kukeli u nxor fillimisht me barelë dhe më pas u transportua drejt e në spital", shkruan e përditshmja zvicerane "Blik". Pas këtij incidenti të rëndë, askush nga lojtarët nuk ishte në gjendje që të vazhdonte ndeshjen, ndaj arbitri me të drejtë e anulloi atë.Diagnoza e parë, sipas asaj që raportohet si në faqen zyrtare të klubit, por edhe në mediat, flitet për një thyerje të këmbës, çka do ta detyrojë Kukelin të qëndrojë për të paktën 6 muaj jashtë fushave të lojës.


