Gjermani, pilotët në grevë, "Lufthansa "anullon 1450 fluturime
Kompania ajrore gjermane, "Lufthansa", ka anulluar të hënën 1 450 fluturime, pasi një sindikatë pilotësh shpalli grevë për të hënën dhe të martën, duke dhënë një tjetër goditje në sistemin e transporteve në Gjermani, pasi pothuajse 5 milionë vetë mbetën të bllokuar gjatë fundjavës në grevën e trenave.Sipas parashikimeve të vetë kompanisë, më shumë se 200 000 pasagjerë do të prekeshin nga greva, pas anullimit të udhëtimeve nga Gjermania në pjesën më të madhe të vendeve të Europës.Si greva e pilotëve, ashtu edhe ajo e makinistëve të trenave, vjen në një javë pushimi zyrtar në pothuajse gjysmën e 16 shteteve federalë të Gjermanisë.Sindikata e Pilotëve tha se greva pritet të zgjasë nga ora 12:00 deri në orën 23:00 të darkës dhe do të jetë greva e tetë këtë vit për kompaninë.Sindikata kërkon një skemë të re pensioni për pilotët, uljen e moshës së daljes në pension në 55 vjeç dhe marrjen e 60% të pagës deri në moshën 65-vjeçare, kur fillon edhe pensioni i zakonshëm.Sindikata madje ka propozuar edhe planin se si do të gjenden fondet për këtë skemë. Ndërsa kompania kërkon që skema të zbatohet vetëm për pilotët që kanë më shumë se një vit në punë, duke përjashtuar kështu rekrutët e rinj.