Japoni, dorëhiqen dy Ministre pas akuzave për shpërdorim detyre

Japoni- Dy Ministre nga pesë femra që janë në kabinetin e kryeministrit japonez, Shinzo Abe, kanë dhënë dorëheqjen.Ministrja e Drejtësisë, Midori Matsushima, dha dorëheqjen vetëm pak orë pas largimit të asaj të Tregtisë dhe Industrisë, Juko Obuçi.Matsushima është akuzuar kohët e fundit nga opozita se ka shkelur ligjet elektorale. Ndërsa zonja Obuçi akuzohet se ka keqpërdorur fondet e mbështetësve politikë dhe të donacioneve.Kjo është goditja më e madhe për Aben, që prej marrjes së detyrës në vitin 2012.Largimet mund të sjellin vështirësimin e marrjes së vendimeve kyçe poltike, përfshi këtu edhe planin për të rritur taksat dhe rifillimin e punës në reaktorët bërthamorë që u mbyllën pas katastrofës së Fukushimës në vitin 2011. Pritet që të dy ministret të zëvendësohen brenda ditës.Ndërkohë, Abe është takuar po sot me shefin ekzekutiv të Facebook-ut, Mark Zukerberg, për të promovuar një opsion të ri të rrjetit social, atë të "kontrollit të sigurisë", ku përdoruesit mund të informojnë të afërmit e tyre se janë mirë në rast se ndodhen brenda zonave ku ka pasur ndonjë fatkeqësi natyrore apo aksident."Në fillim më dukej humbje kohe të rrije në Facebook", i tha Abe Zukerbergut nëpërmjet përkthyesit, "por pasi pashë bashkëshorten time se arrinte të lidhej me shumë njerëz dhe të ndikonte tek ata, vendosa menjëherë ta përdorja dhe unë. Informacionet që vijnë nga Facebook, janë zakonisht më të shpejta se kanalet zyrtare të komunikimit".