Protestat në Hong Kong, studentët: Nuk ka asnjë ndikim nga jashtë
Protestuesit që kanë pushtuar rrugët e Hong Kongut hodhën poshtë pretendimet e qeverisë rajonale se ata ishin ndikuar nga faktorë të jashtëm në nismën e ndërmarrë, por kanë pranuar se ishin të lumtur që përpjekjet e tyre kishin marrë vëmendjen e gjithë botës.Gjatë dy netëve të fundit, dhjetra persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe 22 policë, në përplasjet mes palëve.Edhe të hënën protestuesit qëndruan në rrugë, por nuk pati trazira. Sidoqoftë, disa prej tyre nuk ngurruan të shprehnin pakënaqësinë e tyre ndaj deklaratës së shefit ekzekutiv të Hong Kongut, Leung Çun Jing se ata ishin ndikuar nga forca të jashtme, duke mbajtur një qëndrim të njëjtë me Pekinin."Nuk është mirë të thuhet se në protesta kanë ndërhyrë forcat e huaja, sepse në botën e sotme, globale, të gjithë vendet janë bashkë. E rëndësishme është se lëvizja ka të bëjë me njerëzit e Hong Kongut", deklaroi një protesutes.Palët do të takohen të martën, por pak vetë presin që gjendja të normalizohet, duke qenë se qëndrimet janë diametralisht të kundërta.Protestuesit kërkojnë që zgjedhjet e vitit 2017 për udhëheqësin rajonal të Hong Kongut të jenë tërësisht demokratike, ndërsa Kina nuk ka ndërmend të lëshojë të drejtën e saj për të përpiluar vetë listën e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhje.