Nishani kundër Enverit në histori: Rishikimi i diktatorit, provokim

Lezhë- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, është përfshirë në debatin për rehabilitimin e diktatorit Enver Hoxha në historinë e Shqipërisë. Nga Shëngjini Kreu i Shtetit e konsideroi tentativën për të pastruar imazhin e Hoxhës si një provokim të rëndë.“Misteri i besimit dhe ai njerëzor, rrugët e pafund të Zotit, dija universale dhe atdhedashuria të ndërthurura si shtresa historike me evolucionin human të shqiptarit ndër shekuj konfiguronin portretin e fratit At Zef Pllumi si më i spikaturi i modernitetit të traditës!Nuk do të kishte gjëmë më të madhe që pas dhunës të fshihej apo manipulohej historia për të përligjur krimet nëpërmjet harresës.Fshehja e krimeve është gjë po aq e rëndë sa krimi vetë, në mos edhe më e rëndë.Ndaj nuk mund të rehabilitohet kurrë tirani Enver Hoxha dhe tirania e tij. Tendenca të tilla janë kriminale, provokuese dhe antihistorike.Shoqëria shqiptare, që aq shumë është përpjekur për demokracinë e vet e ka demonstruar aktin e saj të refuzimit ndaj diktaturës më 20 shkurt 1991.Në këtë kontekst Pllumi është një digë e pakalueshme me jetën dhe veprën e tij”.Nishani zgjodhi ta godasë ashpër projektin për rehabilitimin e diktatorit në një moment kur nderonte me Urdhërin e Flamurit një nga simbolet e antikomunizmit Atë Zef Pllumbi.“At Zef Pllumi, duke shkruar të vërtetën e madhe, librin në të cilin spikat morali i shkrimit si më të dobishëm për shoqërinë shqiptare u shndërrua në fenomen kulturor të kohës sonë.Ky është një libër sacral për ne shqiptarët.Duhet ta lexojë atë çdo kush që di shkrim e këndim, duhet ta ketë çdo shtëpi shqiptare në bibliotekën e vet për të kuptuar vetveten, për të mos harruar, për të mos përsëritur gabimet fatale, për të mos rënë kurrë në autoritarizëm, për të dekomunistizuar sa më shumë jetën shqiptare, sjelljen e përditshme vetë mentalitetin.Për modelin etik At Zef Pllumi, për veprën e tij librore e për jetën vepër gjithë shoqëria shqiptare ka nevojë.Kanë nevojë ata që e kanë jetuar atë kohë, në mos më tepër, ata që nuk e kanë jetuar.Kanë nevojë të shtypurit e të nëpërkëmburit, e po aq, në mos më tepër, ata që shtypën të tjerët.Kanë nevojë antikomunistët, e po aq, ndoshta më tepër, komunistët. Shkurt për të ka nevojë ndërgjegjja jonë”.Kjo është hera e parë që Kreu i Shtetit futet në këtë debat që ka ndezur projekti për rishikimin e historisë, ku publikisht është pranuar se do të ketë një rishikim të figurës së Enver Hoxhës në historinë shqiptare.